Patriotizëm për propagandë

Patriotizëm për propagandë
Abetare e përbashkët, arritje historike, komb i bashkuar… Jemi Një… Janë këto përpjekjet me fjalë të mëdha e patriotizëm, që çdo ditë skena politike na servon, të cilat më shumë i ngjajnë një propagande politike sesa një qasjeje reale midis dy shteteve shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri.

Para pak kohe u takuan në Prizren drejtuesit e institucioneve të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për ta promovuar Abetaren e përbashkët, duke e quajtur moment të rëndësishëm historik për kombin shqiptar. Bile, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, krijimin e Abetares së përbashkët e quajti “arritje historike”.

Derisa kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me plot ngazëllim tha se “kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë më i bashkuar dhe më i sigurt se sa tash”.

Disa javë më vonë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, merr vendim për të bllokuar futjen e çimentos nga Shqipëria, duke propozuar vendosjen e një tarife prej 35 për qind për çimenton e importuar.

Ky vendim u mor nën arsyetimin se po mbrohet prodhimi vendor duke bërë që as edhe një kamion të mos futet në Kosovë nga Shqipëria. Por arsyetimi se po mbrohet tregu është banal, nuk qendron, sepse në këtë rast ministrja Kusari është duke mbrotjur interesat e një kompanie të vetme në Kosovë që merret me prodhimin e çimentos.

Kjo qasje e ministres hap shumë pyetje: pse nuk mbron prodhuesit e çokolatës nga ata që futen prej Serbisë, prodhuesit e salcës së domateve, të bylmetit e shumë e shumë të tjera prodhimeve vendore? Ajo u arsyetua në një nga emisionet televizive, se po të mos e merrte këtë vendim do të rrezikoheshin vendet e punës në fabrikën që ajo është duke mbrojtur.

Por a kanë të punësuar prodhuesit e tjerë vendorë? Kjo qasje selektive e ministres Kusari-Lila nuk i bën mirë as biznesit e as relacioneve të dy shteteve Kosovë - Shqipëri. Ajo ka thënë se edhe marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA e obligon që të ruajë prodhimin vendor, për të cilin të gjithë do të pajtoheshin po ta kishte qasjen e njejtë edhe me prodhuesit e tjerë dhe të vinte këto masa me Serbinë dhe jo vetëm me Shqipërinë.

Pyetjet që mbesin pa u sqaruar janë: pse kjo ndalesë bash ndaj Shqipërisë dhe pse asnjë ndalesë e ngjajshme ndaj Serbisë?

Nuk duhet harruar as ndalesat që i ka bërë Shqipëria prodhuesve të patates nga Kosova për në Shqipëri. Kemi parë me sytë tanë se si u kalbeshin me qindra tonë patate të ngujuara në kufi. Bile bile biznesmenët kosovarë kanë shumë ankesa për trajtimin e tyre brenda Shqipërisë, derisa në Kosovë bizneset nga Shqipëria kanë gjetur treg në fusha të ndryshme: kompani sigurimi, banka, medie… dhe zhvillojnë biznes më lehtë sesa kosovarët në Shqipëri.

Kështu, kohë pas kohe me veprime të tilla të ndërsjella po na dëshmojnë se relacioni midis dy shteteve veç patriotizëm e as mbrojtje e produkteve vendore nuk është.
Marre nga Zeri
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari