Afro dhjetë vite pas miratimit në parlament të Reformës në Drejtësi, ish-prokurori Ervin Karanxha thotë se shqiptarët janë mashtruar dhe se sistemi gjyqësor sot është në pikën më të keqe.
I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku u diskutua për stokun e lartë të dosjeve në Gjykatën e Apelit dhe nëse harta e re gjyqësore e ka zgjidhur apo e ka përkeqësuar situatën, Karanxha foli pa doreza. Sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për faktin që sot procese gjyqësore zgjasin deri në 25 vite.
“Jemi në një dështim total të sistemit gjyqësor. Në 2016 kishte 16,000 dosje të mbartura dhe u propagandua nga hartuesit e reformës që është një numër shumë i madh dosjesh. Asokohë gjyqet zgjasnin 3 vjet në të gjitha shkallët ndërsa sot kemi mbi 200.000 dosje të mbartura" tha ai.
Sipas Karanxhës, një nga shkaqet kryesore të situatës është mungesa e studimit serioz për hartën e re gjyqësore. Ai tha se përqendrimi i të gjitha dosjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka sjellë kaos, pasi godina nuk ka as hapësira dhe as kushte për të përballuar këtë ngarkesë.
“Janë mbledhur të gjitha tek Gjykata e Apelit në Tiranë, ku nuk ka vende ku mbahen dosjet ose arkiva. Ata janë pa kushte. Si mund të sillen të gjitha në Tiranë kur kjo godinë nuk ka kushte?” u shpreh ai.
Ish-prokurori tha se problemi nuk është thjesht te numrat, por te mënyra si është ndërtuar e gjithë reforma. Sipas tij, pa një analizë të thellë për ndarjen e re gjyqësore, fondet, godinat dhe shpërndarjen e gjyqtarëve, nuk mund të ketë zgjidhje reale.
“Dështimi është tek numri i dosjeve. Hapi i parë është studimi i hartës së re. Gjykatat e mëparshme i kanë pasur godinat ndaj duhet të kemi një shpërndarje të dosjeve në ambiente të përshtatshme. Siguria në gjykata është e ulët, gjyqet zgjasin prej vitesh dhe ndarja gjyqësore është diçka pozitive. Pa një analizë nuk dalim në një konkluzion përfundimtar.
Populli shqiptar u mashtrua me këtë reformë. Propaganda shkon më shumë tek korrupsioni por qëllim i Reformës në Drejtësi ka qenë afrimi i drejtësise tek qytetarët. Nga sistemi i Vetingut magjistratët janë larguar për shkaqe banale. Janë mbajtur standarde qesharake në Veting. Ne nuk kemi luksin të bëjmë prova. Duhet bërë një studim për ndarjen e re gjyqësore. Ku do të akomodohen gjyqtarët, cfarë fondesh kanë, e kështu. Kjo është një aventurë dhe tallje me popullin. Në analizë duhet të dalë kush janë fajtorët që dështoi reforma” deklaroi ai.
Karanxha ngriti pikëpyetje edhe për paratë e investuara në reformë, duke thënë se nuk shihen investime konkrete në infrastrukturën e gjykatave. Madje, ai paralajmëroi se mund të kërkohet hetim për mënyrën si janë përdorur fondet e buxhetit dhe ato të donatorëve.
“SPAK ka arritjet e veta, por si t’u themi shqiptarëve që nuk janë mashtruar, kur sot gjyqet po shkojnë 25 vjet? Kush e mban këtë përgjegjësi? Sa para janë investuar për këtë reformë dhe ku kanë shkuar? Ne si shoqatë po mbledhim të dhëna dhe do të bëjmë kallëzim në BE për të kuptuar ku kanë përfunduar këto para dhe pse shqiptarëve nuk u është dhënë drejtësi”, tha ai.
Në debat u soll edhe rasti i Prek Mollës, i cili prej vitesh endet dyerve të gjykatave për një pronë të pretenduar në Rrjoll, që sipas tij rrezikohet nga planet për ndërtimin e një resorti turistik.
Molla tregoi në emision se beteja e tij në gjykata ka nisur që në vitin 2012 dhe se ende nuk ka parë një zgjidhje.
“Që në vitin 2012 jemi marrë me vendime gjyqësore. Na çojnë nga Shkalla e Parë në Apel dhe nga Apeli na kthejnë sërish në Shkallën e Parë. Kjo është metoda e tyre e drejtësisë. Unë nuk kam më shpresë te drejtësia shqiptare. I jemi drejtuar SPAK-ut me prova dhe fakte për falsifikim dokumentesh e pronash, por na është thënë se çështja i takon Prokurorisë së Shkodrës. Shpresën e kam vetëm te gjykatat ndërkombëtare”, tha ai për Report TV.
Për situatën foli edhe gazetarja e Report TV, Keti Banushi, e cila solli shifra konkrete për stokun në Apel. Sipas saj, deri më 31 dhjetor 2025, në Gjykatën e Apelit numëroheshin 45,876 dosje, ndërsa çdo ditë shtohen të reja.
Banushi tha se problemi rëndohet edhe më shumë nga mungesa e gjyqtarëve. Sipas saj, organika duhet të ketë 78 gjyqtarë, por aktualisht janë vetëm 39.
“Ky boshllëk ndikon direkt te zvarritja e proceseve. Këshilli i Lartë Gjyqësor po ecën shumë ngadalë me ngritjen në detyrë të gjyqtarëve. Nëse organika do të ishte e plotë, evadimi i dosjeve do të ishte më i shpejtë. Edhe me 7 gjyqtarët e KPA-së nuk zgjidhet problemi”, tha ajo.
Ndërkohë, Prek Molla ngriti akuza edhe ndaj prokurorisë, duke thënë se vonesat po e rëndojnë më tej konfliktin dhe po shtojnë tensionin.
Sipas tij, edhe kur kallëzimet kanë të bëjnë me çështje të thjeshta, si verifikimi i një falsifikimi, reagimi i institucioneve është tepër i ngadaltë.
“Edhe prokuroritë e të gjitha rretheve kanë mangësi në zbardhje të ccështjeve. Në kallëzimin e bërë në mars të vitit 2025 vetëm për të vërtetuar falsifikim. Është diçka e thjeshtë dhe e lehtë dhe pas një viti tani kanë filluar të na thërrasin si kalllëzues. Si ka mundësi kjo prokurori që e sheh që situata shkon drejt gjakderdhjes dhe nuk merr masa të nxjerrë të vërtetën. Kur kemi këto vonesa në prokurori, po gjykata? ” argumentoi ai.
Në fund të intervistës, Molla u shpreh se pritshmëritë që kishte nga reforma kanë rënë plotësisht.
“Ne menduam se me Reformën në Drejtësi do të vinte drejtësia tek ne, por nuk është e vërtetë”, përfundoi Molla.
Komente













Kur drejtësia anatemohet nga ata që vetingu i largoj si të pa denjë,çfarë pret?
Përgjigju