Pavarësia, Fevziu: Rishkrimi i
historisë, tradhëtarë e patriotë

Pavarësia, Fevziu: Rishkrimi i <br />historisë, tradhëtarë e patriotë
Shkrimi i gazetarit Blendi Fevziu "Kjo histori që kemi mësuar ne…", në gazetën "Panorama", mbi debatin e tezave të Kryeministrit është ndjekur me një replikë të Auron Tares "Historia, ku gabon Blendi Fevziu" në "Shqiptarja.com". Pas mbledhjes së Komitetit të Posaçëm për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, ku kryeministri Berisha ka treguar sesi do të shkruhet historia, debatet ende vijojnë të pushtojnë mediat. Reagimet kanë qenë mjaft të mprehta ndaj kryeministrit Berisha dhe arsyet e reagimeve kanë qenë të shumta. Shumica e atyre që kanë reaguar veçanërisht për "Shqiptarja.com" si historianët Paskal Milo e Arben Puto, Auron Tare, etj., kanë shprehur thelbin arsyet e këtyre reagimeve. Sipas autorëve të intervistuar ose që kanë shkruar në "Shqiptarja.com" ata shqetësohen nga fakti që një kryeministër ndërhyn në studimet historike, duke përcaktuar linjat e qëndrimit. Edhe më shqetësues për disa të tjerë është fakti se "asnjë nga institucionet akademike nuk ngre as zërin më të vogël kundër këtyre "urdhrave" nga lart", siç thotë historiani i njohur Arben Puto. Sa e vërtetë është që organet e tjera shtetërore dhe institucionet akademike, universiteti janë komplet të bindura dhe të nënshtruara ndaj autoritetit të kryeministrit?! Paskal Milo ka hedhur tezën se rishikimi i historisë si udhëzim i bërë nga Berisha ka si synim të përcaktojë rolin e tij në histori "Ai është i njëanshëm, thellësisht subjektiv.... Shqetësimi i tij është vetëm për të ardhmen e tij, ç'vend do zërë në tekstet e historisë, në monografitë e historisë.", thotë Milo. Në valën e këtyre reagimeve rikthehet me një qëndrim origjinal gazetari Blendi Fevziu në intervistën për "Shqiptarja.com". Gazetari i njohur Fevziu replikon me fakte të reja ndaj shkrimit "Historia, ku gabon Blendi Fevziu" dhe debateve për ndërhyrjen e kryeministrit Berisha në historinë e Shqipërisë.

Zoti Fevziu, si do t'i përgjigjeshit Auron Tares kur shkruan "A ka të drejtë një Kryeministër të mbledhë historianët e këtij vendi dhe t'u japë udhëzime sesi duhet të shkruhet historia?"
-Unë nuk di që Kryeministri të ketë mbledhur ndonjëherë historianët dhe t'ju ketë dhënë sugjerime sesi të shkruhet historia. Natyrisht ai mund të shkojë për një takim në institutin e historisë, mund të shprehë ndonjë pikëpamje të tijën në ndonjë vizitë në Fakultetin e Historisë ose në ndonjë Universitet. Por nuk e ka bërë këtë me sa di unë deri më sot. Auron Tarja ka të drejtë sepse Kryeministri nuk jep dot udhëzime dhe as historianët as e dëgjojnë dhe as kanë ndonjë detyrim ta bëjnë këtë. Ata s'kanë asnjë lidhje administrative me Kryeministrin. Ajo të cilës ju i referoheni është Mbledhja e Komitetit të 100 vjetorit të Pavarësisë, që drejtohet detyrimisht nga Kryeministri dhe që në përbërje të tij nuk ka historianë, por drejtues institucionesh shtetërore. Qëllon që ndonjë prej tyre është marrë me historinë, por në atë pozicion ata janë zyrtarë shtetërorë. Në një komitet, që merret me shumë gjëra, kryeministri ka shprehur disa ide të tijat mbi historinë. Ai nuk është historian. As unë nuk jam historian, kam mbaruar për letërsi; as Auron Tare që ka mbaruar Institutin e Fizkulturës në mos gaboj; as Artan Lame që ka mbaruar për Gjeologji - Miniera; as shumë protagonistë të tjerë të shkrimeve dhe polemikave historike. Kur të gjithë ne shprehemi për këto gjëra, kudo që na jepet ky rast, ku qëndron problemi nëse në një takim, përpara mediave shprehet edhe Kryeministri?! Po e përsëris, asnjë historian s'ka detyrim të dëgjojë apo të reagojë sipas ideve që Kryeministri ka për historinë, po përse Kryeministri nuk duhet të shprehë asnjë mendim, ndërsa gjithë të tjerët flasin. Unë s'jam marrë me këtë çështje dhe e quaj gjë anësore. Unë s'di ndonjë historian që ka shkruar libër apo ka bërë studime se i tha Kryeministri. Po më gjetët një do t'ju isha shumë mirënjohës.

Cili do të ishte mendimi juaj sesi duhet rishkruar historia komplekse e vendit tonë?
-Historia rishkruhet nga çdo vend dhe në një farë mënyrë nga çdo brez. Kjo ndodh edhe në vende shumë të zhvilluara të botës. Rishkruhet sepse dalin në dritë dokumente të tjera; sepse parimet morale të shoqërive ndryshojnë; sepse mënyra e të menduarit dhe e shikimit të gjërave evoluon. Rishkruhet në fund të fundit sepse çdo brez ka nevojë ta interpretojë historinë edhe për atë vetë. Natyrisht, në këto vende, rishkrimi prek detaje dhe jo thelbin e historisë. Në vende si tonat, ku historia ka qenë dukshëm e deformuar nga trysnia ideologjike, rishkrimi duhet të jetë më i thellë dhe më radikal. Ne duhet ta kishim bërë këtë rishkrim herët në vitet '90 dhe tani të ishim në rishkrimin e historisë së rishkruar. Në fakt, nuk e bëmë, ose besoj se e bëmë përciptazi dhe keq. Vendet e Europës Lindore, e nisën rilindjen e tyre pikërisht duke nisur nga rishkrimi i historisë. Por kurrë nuk është vonë për këtë gjë.

Ju jeni një njohës i shkëlqyer arkivash dhe keni sjellë mjaft polemika në rrafshin historik si gazetar dhe si autor dokumentarësh dhe librash. Është e vërtetë që i jeni shmangur thelbit të debatit te hapur pas fjalës së kryeministrit për rishkrimin e Historisë"
-Unë nuk jam ndonjë njohës kaq i madh i historisë, jam një gazetar që për arsye të profesionit, por edhe pasionit, është angazhuar në këtë debat. Besoj se e sqarova më lart këtë gjë që më pyesni. Ajo që lidhet me faktin nëse duhet të flasë Kryeministri apo jo.

Çfarë doje t'i sugjeroje lexuesit tonë për pikat "më të nxehta" të debatit; Mbretin Zog; Ismail Qemalin dhe çështjen e misioneve britanike ne Shqipëri?
-Këto janë disa përshtypje që kanë dalë më së fundmi, por shikimi duhet të jetë më i gjerë. Unë kam ndjekur disa nga botimet e dokumenteve të Auron Tares dhe ato hedhin dukshëm poshtë versionet zyrtare të historisë së Shqipërisë. Ato janë një kontribut që duhet marrë në konsideratë dhe Tare ka qenë i pari që është sulmuar me shprehjen: "nuk është historian". Në fakt, çdo njeri që qëmton dhe publikon dokumente, që kontribuon për këtë çështje, i bën një shërbim vendit.
Unë besoj se rishkrimi i historisë dhe nderimi i figurave duhet të jetë në proporcion me kontributin e tyre. Po ju sjell një shembull. Firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë janë 40 vetë. Ne jemi mësuar të dëgjojmë vetëm 5 - 6 prej tyre, të gjithë të vdekur përpara se sa regjimi komunist të vinte në fuqi. Nga një studim i Artan Lames, po ju them se 1 prej tyre u pushkatua nga komunistët dhe ai ende s'ka një varr. 3 vdiqën në burg. Edhe ata s'kanë varr. 6 u burgosën me deri 24 vjet. 15 prej tyre vdiqën në emigracion dhe 4 u arratisën! i bie që 28 prej tyre janë fshirë nga historia për një gjysmë shekulli. Madje janë fshirë edhe më parë se shumë prej tyre nuk i donte as Mbreti Zog. Edhe ai e shkruante historinë siç i interesonte dhe jo siç ishte në të vërtetë. A duhet që këtyre njerëzve t'ju vlerësohet ky kontribut? A është e ndershme që 40 shkolla apo rrugë në Shqipëri të mbajnë emrat e tyre? A është e drejtë që një pllakë përkujtimore të vendoset në vendet ku ata kanë banuar. Ose më e thjeshta: të paktën të përmenden sepse veç studiuesve nuk i njeh kush. Madje edhe Presidenti, i dekoroi para dy javësh në grup, sikur ata të jenë kope. Ata kanë firmosur një për një dhe si të tillë duhet të dekoroheshin. Ky ishte një skandal më vete. Motivacioni thoshte: Ismail Qemali dhe një grup firmëtarësh. Nuk është një grup. Janë 40 firmëtarë që quhen: Dom Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Lef Nosi… Pra kanë emra.
E dyta, historia nuk shihet një dhe e pandryshueshme. Çfarë dua të them. Mustafa Kruja është një firmëtar i pavarësisë. Ai ka një kontribut në këtë moment dhe për këtë duhet të nderohet thellë. Por në vitin 1942 (Ose 1941) ai u bë Kryeministër i një Qeverie Kolaboracioniste nën pushtimin italian. Ky është një akt tejet i dënueshëm për mua. Por dy aktet nuk kanë pse lidhen me njëri-tjetrin. Nuk mund as ta zhdukësh nga Pavarësia, siç bënë komunistët, që vendosën mbi firmën e tij foton e selisë së qeverisë sepse ai ishte me Italianët 30 vjet më pas; dhe as mund ta bësh patriot sepse firmosi pavarësinë dhe të harrosh bashkëpunimin me pushtuesit në fillim të '40 - tës.
Ose deri më sot, jemi mësuar që gjatë luftës ranë dëshmorë 28 mijë vetë?! Sipas të dhënave që kanë disa institucioni, numri i dëshmorëve të Shtetit Shqiptar është 4638. Nga këta, duhen numëruar disa qindra që janë policë të vrarë pas vitit 1990 dhe disa të tjerë që janë dëshmorë në Luftën e Vlorës në vitin 1920 apo edhe më parë. A duhet të sqarohet kjo gjë që është thjesht një mashtrim?!

Cila është mënyra me e mirë për të ndalur vazhdimin e manipulimit me historinë e Shqipërisë?
-Tani nuk besoj se bëhet më fjalë për manipulim. Tani thjesht ata që kanë qenë protagonistë të manipulimit s'kanë kurajën të thonë që ne e shkruam kështu sepse qemë të detyruar dhe tentojnë të justifikohen dhe të gjejnë detaje.

Si i konsideroni reagimet e forta të disa prej historianëve ndaj udhëzimeve të Berishës, si sulm ndaj Berishës apo ndaj vendimeve të tij të gabuara?
-Nuk e di përse e keni fjalën. Besoj se u shpreha më sipër për këtë.

Siç e dini ka pasur reagime kohë më parë për hedhjen në plehra të heronjve te Vigut. Mendoni se reagime të shpeshta publike kundër iniciativave të kryeministrit vinë spontanisht?
-Unë nuk e di që Heronjtë e Vigut të jenë hequr nga Kryeministri. Nëse ju e dini ma thoni. Problemi i Heronjve të Vigut si edhe i monumenteve të tjera që janë vendosur dhe do vendosen në tiranë dhe në qytete duhet të jetë vendime të këshillit Bashkiak dhe mundësisht me konsensus të plotë. Asnjë vendim politik nuk mund t'i imponojë një qyteti vendosjen e një monumenti apo mbajtjen e një tjetri. Së paku ky është mendimi im. Unë nuk e di motivacionin se përse janë hequr Heronjtë e Vigut. Duhet të pyesni në qytetin e Shkodrës dhe me siguri ata dinë t'ju thonë se me cilët personazhe ai qytet dhe komuniteti aty ndihet më i përfaqësuar. Monumentet nuk kanë lidhje me historinë. Heronjtë e Vigut janë pjesë e historisë dhe ata njihen si dëshmorë të atdheut. Pastaj a vendosën në Shkodër, në Vig a në Tiranë, kjo lidhet me komunitetin. Jo çdo njeri që bie dëshmor duhet të ketë monument dhe ka njerëz që kanë vdekur në shtratin e tyre dhe kanë dhënë më shumë për komunitetin. Pastaj monumente duhet të ketë më shumë për personalitete dhe kontribuues të artit, kulturës, letërsisë. Pra ky është një problem komuniteti.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin