Për më shumë se katër shekuj, trojet shqiptare jetuan nën një paqe që nuk e zgjodhën vetë. Pax Ottomana, siç e quajnë studiuesit, nuk ishte as dashamirëse, as e dashur: mjaftueshëm e fortë për t’u dhënë fund luftërave private të feudalëve dhe klaneve, por mjaftueshëm e largët për ta lënë jetën e përditshme të ndiqte rrjedhën e vet. Në vend të lirisë, ajo ofronte një rend të lexueshëm: një regjim tatimor, një hierarki gjyqtarësh, një arbitër përfundimtar; dhe paqen e ruante duke e ngrirë shoqërinë. Shumë shqiptarë lulëzuan brenda këtij rendi si individë - si ushtarë, guvernatorë dhe vezirë të mëdhenj. Talenti përparonte duke u larguar, sepse ai rend shpërblente lëvizjen, jo akumulimin, teksa vendi mbetej i qetë, periferik dhe i varfër.

Sot Shqipëria qëndron para derës së një rendi tjetër supranacional: Bashkimit Evropian, një Pax Europea që qeveris përmes standardeve, parave, lëvizjes së lirë dhe ligjit, duke përmbysur metodën osmane. Perandoria i neutralizonte elitat me forcë dhe e mbante shoqërinë në vend; Unioni i disiplinon elitat përmes rregullave dhe e mban shoqërinë në lëvizje. Njëra vendoste paqen pa modernizuar. Tjetri modernizon për të vendosur paqen. Pyetja është nëse Shqipëria do ta përdorë ndryshe këtë rend të ri, apo do të përsërisë modelin e vjetër, thjesht e veshur me rroba dhe atlete firmato.

Po e them që në fillim qëndrimin tim, në mënyrë që asgjë nga sa vijon të mos keqkuptohet. Ne e kemi parë një herë derën të mbyllet, në vitin 1996, kur Shqipëria ishte përpara fqinjëve të saj ballkanikë në rrugën drejt Evropës dhe sjellja e qeverisë sonë bëri që Evropa të na kthente shpinën. U deshën dy dekada për ta rifituar atë terren. Anëtarësimi nuk është një objektiv kombëtar mes shumë të tjerëve. Është objektivi kombëtar, një raison d’État, i vetmi projekt në një shekull që mund ta ankorojë njëkohësisht këtë vend te shteti i së drejtës dhe te mirëqenia. Ai duhet mbrojtur me çdo kusht; gjithçka tjetër, sado e rëndësishme apo parimore, vjen pas tij. Arsyeja shtetërore nuk vihet në pyetje, as për kauza që janë të drejta.

I njëjti model, në kostum tjetër

Le të shihemi pak në pasqyrë. Afro gjysma e të gjithë shqiptarëve sot jetojnë jashtë vendit, shumica brenda Unionit, dhe shumë prej tyre tashmë mbajnë një pasaportë italiane, greke apo të një vendi tjetër evropian. Rreth dy të tretat e tregtisë sonë zhvillohen me Unionin dhe Italia është, me diferencë, partneri ynë më i madh. Gjysma e parave në bankat shqiptare mbahet në euro. Njerëzit u integruan vetë, familje pas familjeje, një brez përpara shtetit. Edhe ekonomia është e integruar, por në fund të zinxhirit: qep rroba e këpucë për markat italiane, e nxjerr kromin jashtë si koncentrat, e shet diellin në orën kur vlen më pak dhe importon pothuajse gjithçka tjetër.

Ky është sërish ekuilibri osman që sapo përmendëm. Shqiptari ngrihet brenda rendit më të madh; Shqipëria mbetet në skajin e tij. Ditët e sotme emigrimi është karriera moderne në shërbim të perandorisë, ndërsa remitancat janë haraçi që kthehet në shtëpi.

Ai që nuk është integruar është shteti. Po t’ia heqësh retorikën, anëtarësimi është procesi i vendosjes së qeverisë shqiptare, politikanëve dhe administratës së saj nën rregullat sipas të cilave qytetarët shqiptarë tashmë jetojnë në Milano, Athinë dhe Mynih. Unioni nuk po pranon një popull që nuk e njeh. Po pranon një qeveri për të cilën ende nuk është i sigurt.

Na pranojnë për hartën

Shqipëria është e vogël. Ndodhet në një rajon që në një vit prodhon sa Unioni në tre a katër ditë; vetë Shqipëria prodhon rreth sa gjysmë dite prodhimi evropian. Askush në Bruksel nuk do të na pranojë për tregun tonë. Do të na pranojnë për vendndodhjen tonë në hartë. Ballkani Perëndimor është një vrimë në barkun e Unionit, i rrethuar nga shtete anëtare, dhe vrimat në bark sjellin telashe.

Zgjerimi është udhëhequr gjithmonë më shumë nga frika e Evropës sesa nga meritat e kandidatëve. Procesi që ngriu për një dekadë pas 2013-s u shkri brenda një stine në 2022, kur tanket ruse hynë në Ukrainë. Në Tiranë nuk ndryshoi asgjë; në Berlin dhe Paris ndryshoi gjithçka. Me Malin e Zi dhe Shqipërinë brenda, Unioni kontrollon bregun lindor të Adriatikut, nga Trieste në Sarandë, përveç Neumit. Ngushtica e Otrantos pushon së qeni kufi dhe bëhet korridor. Shqipëria tashmë zbaton në territorin e saj një pjesë të politikës italiane të migracionit, në Shëngjin dhe Gjadër. Shtojini bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe portet që Evropa nuk do t’i donte në duar kineze apo ruse. Kjo është gjeografi sigurie dhe Evropa po e blen. Kur Ursula von der Leyen na tha në Tiranë më 30 shtator se tashmë e shohim botën me të njëjtët sy, ajo po vlerësonte përputhjen tonë në politikën e jashtme, pikërisht pjesën që Evropës i duhet më shumë.

Po e them pa asnjë ekuivok: Shqipëria nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian do ta fusë Shqipërinë brenda. Përmbushja e kushteve shkruan skenarin; politika jep verdiktin. Gjeopolitika mund ta hapë derën. Ajo nuk vendos dot se çfarë hyn përmes saj.

2030: një dëshirë me afat

Aritmetika është më e pamëshirshme se retorika. Tridhjetë nga tridhjetë e tre kapituj mbeten të hapur; qeveria premton t’i mbyllë deri në fund të 2027-s. Më pas, sipas nenit 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian, duhet nënshkruar një traktat dhe ratifikuar nga çdo shtet anëtar. Kroacisë iu deshën nëntëmbëdhjetë muaj nga nënshkrimi te anëtarësimi. Me atë ritëm, një traktat i nënshkruar në 2028 sjell anëtarësimin në 2030 vetëm nëse asgjë nuk vonohet; dhe në zgjerim gjithmonë diçka vonohet.

Ja një parashikim që pak kush e bën sot: Traktati i Malit të Zi do të jetë i pari që do të përballet me nenin 88-5 të Kushtetutës franceze, i cili kërkon referendum për çdo anëtarësim të ri, përveç rastit kur të dyja dhomat e Parlamentit, të mbledhura së bashku, e miratojnë atë me tre të pestat e votave. Kroacia u përjashtua; Mali i Zi nuk do të përjashtohet. Kjo dispozitë u shkrua në vitin 2005 me Turqinë në mendje. Data e vërtetë e anëtarësimit të Shqipërisë do të vendoset më pak në Bruksel dhe më shumë në Paris, atë ditë kur traktati i parë ballkanik të mbërrijë në Parlamentin francez.

Viti 2030 është skenari më i mirë; skenari bazë bie një a dy vjet më vonë. Një datë që kërkon që gjithçka të shkojë mbarë është një dëshirë me afat.

Dispozita franceze na çon edhe te diçka që parapëlqejmë të mos e diskutojmë. Shqipëria do të ishte shteti i parë anëtar ku myslimanët përbëjnë komunitetin më të madh dhe Evropa do të pyesë, haptazi ose jo, nëse po pranon një anëtar apo një avantpost të tjetërkujt. Përgjigjja duhet të jetë përtej çdo dyshimi. Shqipëria nuk mund të hyjë në Evropë si pikëmbështetje për islamin politik, Ankaranë, Gjirin apo Teheranin. Aseti ynë më i fortë është tradita jonë: një shtet laik, bashkëjetesë fetare më e vjetër se Unioni dhe qytetarë, besimi i të cilëve nuk ka qenë kurrë politika e tyre. Kjo traditë duhet mbrojtur me vendosmëri të hekurt, tani më shumë se kurrë.

Martesë për letra

Hapja dhe mbyllja e kapitujve është një gjë. Ndryshimi strukturor dhe kulturor është tjetër gjë. Një brez burrash dhe grash shqiptare hynë në Itali, Greqi e më tej duke u martuar, në letër dhe për letra, me evropianë dyfishin e moshës së tyre. Letrat erdhën; martesa, si rregull, nuk u konsumua kurrë. Edhe anëtarësimi mund të bëhet në të njëjtën mënyrë: kapituj të mbyllur, ligje të transpozuara, kritere të shënuara si të plotësuara, dhe asgjë në mënyrën se si sillet shteti të mos ketë ndryshuar. Mbyllja e kapitujve e bën një kryeministër të duket mirë. Erazmi i Roterdamit, emrin e të cilit Unioni ia vuri programit të vet për studentët, vendosi një provë më të vështirë në 1516, te Edukimi i Princit të Krishterë: një sundimtar gjykohet nga begatia e popullit të tij, jo nga lavdia e vet. Me këtë masë, anëtarësimi ka sukses kur ristrukturon ekonominë në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë prej tij, jo kur mbyllet kapitulli i fundit.

Evropa e njeh këtë hile. E ka parë në Sofje dhe Bukuresht, të cilat jetuan gjashtëmbëdhjetë vjet nën një mekanizëm verifikimi pa dhëmbë, dhe më hidhur akoma në Budapest, ku një shtet anëtar që i kishte mbyllur të gjithë kapitujt çmontoi nga brenda klubit mekanizmat e kontrollit mbi pushtetin e vet, ndërsa Unionit iu desh më shumë se një dekadë për të mësuar si t’ia ngrinte fondet. Traktati i Shqipërisë do të jetë ndër të parët që do të shkruhet pas Hungarisë. Çdo dispozitë do të hartohet me Budapestin në mendje dhe Tiranën para syve.

Përgjigjja që Evropa ka ndërtuar është ajo që unë e quaj korridor i mbikëqyrur. Vija e finishit po zëvendësohet nga një kalim i gjatë që nis para anëtarësimit dhe vazhdon vite pas tij. Para hyrjes, integrimi gradual u jep kandidatëve copa anëtarësimi: zonën e vetme të pagesave në euro, programet e BE-së, roaming-un me çmimet e vendit dhe para të lidhura me reformat përmes Planit të Rritjes, ku Shqipëria ka përmbushur mbi 80 për qind të hapave dhe ka marrë 213 milionë euro. Pas hyrjes vijnë masat mbrojtëse. Në Tiranë, von der Leyen foli për një udhërrëfyes për të siguruar respektimin e angazhimeve për demokracinë dhe shtetin e së drejtës edhe pas anëtarësimit. Draft-strategjia e zgjerimit, që Komisioni do ta miratojë më 7 tetor, shkon më tej: anëtarët e rinj do të zotoheshin të mos bllokojnë në vitet e para vendimet unanime të Këshillit, ndërsa Brukseli do të kishte instrumente për të reaguar ndaj kthimit mbrapsht.

Është si nëpunësi i emigracionit që troket në derë një vit pas dasmës për të parë nëse aty jeton vërtet dikush. Kjo është disiplina që Pax Europea-s ushtron mbi elitat, e shkruar në të drejtën e traktateve. Edi Rama dhe Aleksandar Vučić kërkuan në shkurt tregun e vetëm pa të drejta të plota vote. Me shumë gjasa, po marrim kufizimet e votës, dhe bashkë me to inspektimin.

Rendi i ri, modeli i vjetër?

Anëtarësimi korrigjon një pjesë të asaj që nuk funksionon te shteti. Çdo kompetencë që kalon në Bruksel i heq Tiranës një copë diskrecioni dhe u jep qytetarëve e firmave një gjykatë mbi atë kombëtare.

Politikanët do të kenë më pak fuqi mbi tregtinë, konkurrencën, standardet, prokurimin dhe të drejtën për t’u larguar. Por Unioni korrigjon rregullat, jo kapacitetin. Shkolla, spitali, kadastra, leja dhe tenderi mbeten kombëtare, ndërsa paratë evropiane rrisin vlerën e kontrollit mbi to. Fondet strukturore mund të bëhen timaret e reja. Bullgaria dhe Hungaria treguan se kapja e shtetit i mbijeton anëtarësimit duke u zhvendosur nga rregullat te zbatimi. Struktura e ekonomisë nuk korrigjohet; anëtarësimi përforcon atë që gjen.

Kështu mund t’i mbijetojë modeli osman rendit evropian. Lëvizja e lirë e kthen rrugëdaljen që ka marrë gjysma e kombit në një të drejtë për gjysmën tjetër, përfshirë brezin në moshë pune që ka qëndruar. Çmimet konvergojnë më shpejt se pagat. Rregullat e ndihmës shtetërore u japin fund privilegjeve tatimore për investitorët e zgjedhur dhe prokurimi publik u hapet kontraktorëve italianë e grekë. Firmat që plotësojnë specifikimet evropiane do të fitojnë; të tjerat do të mbyllen ose shiten.

Për mua lajmi më i keq vjen nga bujqësia. Rreth 350 mijë ferma, mesatarisht 1,2 hektarë, do të nisnin të merrnin pagesa nga Politika e Përbashkët Bujqësore; subvencioni do të kapitalizohej në çmimin e tokës dhe konsolidimi do të bëhej i papërballueshëm. Bullgaria hyri me miliona parcela të copëzuara dhe subvencionet i ngrinë në vend. Pritshmëria ime është se rishikimet e Komisionit para zgjerimit, që priten më 6 tetor, do të propozojnë futjen graduale të pagesave bujqësore dhe të kohezionit, si në 2004. Kjo është periudha e fundit e frymëmarrjes për konsolidimin e tokës. Përndryshe shqiptari do të begatohej sërish në Evropë, dhe Shqipëria do të mbetej periferia e saj, tani e paguar përmes fondeve strukturore.

Dritarja e fundit e sovranitetit

Vitet para anëtarësimit janë të fundit në të cilat Shqipëria i vendos këto çështje me gjithë instrumentin e sovranitetit, dhe të fundit në të cilat ka ende diçka për të vënë në pazar. Një vend që në një vit prodhon sa Unioni në gjysmë dite nuk mund të bëjë pazar me madhësinë e vet. Pazarin e bën me dobinë, dhe letrat që ka në dorë e humbin pjesën më të madhe të vlerës ditën kur pushon së negociuari dhe nis të zbatojë.

Asgjë nga këto nuk kërkon një shtet që zgjedh fituesit. Kërkon një shtet që më në fund bën punën e vet. Shqipëria ka një strategji për pothuajse gjithçka. Ajo që i mungon është politika: një vendim që angazhon para, vendos një afat dhe tregon me emër kush jep llogari kur afati kalon.

Toka vjen e para: tituj të pastër pronësie, kadastër funksionale dhe rregulla që lejojnë bashkimin e parcelave para se të mbërrijnë pagesat. Pastaj energjia. Në një ditë të kthjellët vere, teprica diellore eksportohet në mesditë për tridhjetë deri në pesëdhjetë euro për megavat-orë; në mbrëmjet e dimrit e blejmë mbrapsht për njëqind e më shumë. Shesim diellin dhe blejmë mbrapsht errësirën. Sistemet e ruajtjes mund të lejohen dhe ndërtohen sot për më pak se dy vjet; pas hyrjes, rregullat mjedisore evropiane e zgjasin këtë në shumë vite. Pastaj mineralet. Bakri, nikeli, kobalti dhe feldspati që Shqipëria ka janë në listën e lëndëve të para kritike të Unionit, i cili mund të mbështesë projekte strategjike jashtë BE-së. Serbia ka një partneritet të tillë; Shqipëria jo. Ne nxjerrim kromin si koncentrat dhe e blejmë mbrapsht si ferrokrom, ndërsa pengesa e Evropës është përpunimi. Shteti duhet të negociojë partneritetin dhe të licencojë investitorët, jo të ndërtojë furrën shkrirëse. E njëjta gjë vlen për mbrojtjen: SAFE, prej 150 miliardë eurosh, është i hapur për partnerë si Shqipëria, por pjesëmarrja e firmave tona duhet negociuar tani; dhe për Korridorin VIII, që ka nevojë për hekurudhë mallrash, logjistikë e zhdoganim digjital, jo më shumë asfalt. Shkollat kanë nevojë për një provim të detyrueshëm leximi deri në klasën e tretë. Drejtësia duhet të jetë e parashikueshme për investitorin dhe e ndershme për të pandehurin: vendime gjyqësore, jo rrjedhje në media; gjyqe, jo vite paraburgim.

Secili prej këtyre është një zgjedhje që qeveritë me shumica të rehatshme kanë pasur lirinë ta bëjnë dhe kanë zgjedhur të mos e bëjnë. Secila është një mënyrë për ta bërë qëndrimin në Shqipëri po aq racional sa largimin prej saj.

Kufiri që askush nuk e përmend

Sot, rajoni është një kolonë me vetëm dy makina. Mali i Zi synon të hyjë në 2028, Shqipëria e ndjek pas, dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor ka ngecur. Me anëtarësimin, një anëtar i ri del nga CEFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, siç bëri Kroacia në 2013, dhe zbaton kodin doganor të BE-së. Pikat e kalimit në Morinë me Kosovën dhe në Qafë Thanë me Maqedoninë e Veriut bëhen kufij të jashtëm të Unioni, me kontrolle doganore dhe sanitare. Hapësira kombëtare shqiptare do të ndahet nga një kufi evropian po në atë javë kur Shqipëria feston hyrjen në Evropë. Tirana ka nevojë për një politikë për Kosovën për ditën pas anëtarësimit. Në letër nuk ekziston asnjë. Për t'u shërbyer qytetarëve këtej dhe andej kufirit Tirana dhe Prishtina duhet të vendosin sot me Brukselin se si do të funksionojë nesër ky kufi evropian, jo ta zbulojnë pasi të jetë bërë fakt i kryer.

Për çfarë flasim dhe për çfarë heshtim

Nëse ajo që mbetet për t’u integruar është shteti, atëherë historia e anëtarësimit është historia e shtetit, dhe pikërisht kjo është historia që tregohet më pak. Dezinformimi më i dëmshëm për BE-në në Shqipëri është prodhim vendi, dhe ka dy narrativa. Njëri version e shet anëtarësimin si një datë të fituar tashmë dhe çdo vonesë si sabotim nga një opozitë që i raporton Brukselit. Tjetri e shet Brukselin si forcën e jashtme që do ta pastrojë politikën shqiptare për llogarinë tonë. Të dyja e mbajnë vëmendjen larg asaj që duhet të bëjë vetë shteti, dhe të dyja përgatisin të njëjtin zhgënjim.

Media e mbulon anëtarësimin si protokoll: flamuj, shtrëngime duarsh, numërim kapitujsh. Thelbi mbetet pa u raportuar. Kapitulli 11 është historia e 350 mijë fermave të vogla dhe e asaj që subvencionet do t’u bëjnë çmimeve të tokës. Kapitulli 15 shpjegon pse e shesim energjinë lirë në mesditë dhe e blejmë shtrenjtë natën. Kapitulli 8, cilat privilegje tatimore marrin fund dhe kush i humbet. Redaksitë në pronësi të bizneseve që jetojnë me kontrata publike janë pjesë e shtetit që ende nuk është integruar; prandaj këto histori mbeten të pashkruara. Një redaksi që do t’i mbulonte kapitujt si ekonomi të familjes dhe çështje pushteti do të bënte për integrimin më shumë se çdo fushatë qeveritare.

Në fund, shteti

Bashkimi Evropian do ta fusë Shqipërinë brenda për arsyet e veta. Traktati do të ndryshojë rregullat nën të cilat veprojnë politikanët shqiptarë. Nuk do t'i ndryshojë politikanët, administratën apo zakonet e shtetit ditën e hyrjes; ato hyjnë ashtu siç janë. Të bëhesh evropian me letra është një gjë, të jesh vend evropian është tjetër gjë. Një brez shqiptarësh ka treguar tashmë se e para mund të bëhet pa të dytën. Ta kthesh të parën në të dytën është një punë që asnjë traktat nuk e bën për ne. Korridori i mbikëqyrur ekziston sepse Evropa pret që shteti shqiptar të provojë të njëjtën gjë.

Anëtarësimi është e vetmja kornizë brenda së cilës kjo punë mund të bëhet, dhe pikërisht për këtë është raison d’état për ne. Për gjithçka tjetër në jetën publike shqiptare mund të debatojmë gjatë rrugës; vetë rruga nuk mund të vihet në diskutim. Shumica e shqiptarëve, dhe pjesa më e madhe e asaj që shet ekonomia shqiptare, janë tashmë në Evropë. Çështja ende e hapur është nëse politika dhe qeveria shqiptare do t’i ndjekin, dhe nëse Shqipëria do të bëhet një vend ku ia vlen të qëndrosh.

*Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.