Pazari i Vjetër i Tiranës përbën një nga elementet më të rëndësishme të historisë dhe strukturës urbane të qytetit, duke mishëruar rrënjët e tij osmane dhe duke shërbyer si qendër tregtare dhe shoqërore për shekuj me radhë.Pikërisht Pazari i Vjetër i Tiranës ka qenë në qendër të një aktiviteti të organizuar te librari “Valentini”, një projekt i mbajtur gjatë Javës Kulturore Zvicerane e që synon të hedhë dritë mbi historinë dhe rëndësinë kulturore të tij, bazuar në materiale arkivore dhe kërkime në terren dhe biblioteka institucionale.Për të pranishmit u prezantua edhe një libërth me ese, ilustrime, dokumente arkivore, foto historike të pa publikuara më parë dhe rindërtim kartografik, që rikrijojnë fytyrën e Pazarit, së bashku me një ekspozitë me veprat artistike të zhvilluara gjatë këtij studimi e filmime historike.
Ndërkohë, prezantimi i librit u shoqërua edhe me një bashkëbisedim me ekipin krijues të botimit, duke i dhënë publikut mundësinë për t’u përfshirë më thellë me temën.
Një studim që ka ndihmuar në këtë drejtim është ai i Armanda Hysës, por edhe libra dhe tregime të Spiro Mëhillit apo Lekë Tasit, ndërsa janë shfrytëzuar edhe numrat e gazetës “Zëri i Popullit” të ruajtura në Arkivin e Institutit të Antropologjisë.
Mes fotografive që u shfaqën në lëvizje gjatë aktivitetit, një foto e veçantë mbante datën janar 1916, përpara se austriakët të hynin në qytet, që sjell nga sipër Pazarin e Vjetër. Në këto foto dallohet shumë struktura e Pazarit, lexohen objektet kryesore të tij, nga katër xhamitë e qytetit te Kisha Ortodokse.
Alen Bejko, një tjetër autor i librit për Pazarin e Vjetër, vëren se historia e Pazarit të Vjetër, e qendrës së Tiranës, e urbanizimit në kuptimin modern të Tiranës, është një histori dhune.
“Shteti për të rritur kapacitetin e vet mundohet të nënshtrojë realitetin urban në qytetin ekzistues dhe kapitalin e vet ekonomik dhe njerëzor ta shfrytëzojë për kapital ushtarak apo shtrëngues.”, - thotë Bejko.
Arba Baxhaku, ideatore dhe një ndër autoret e librit vëren se si arkitekte ajo e ka parë mes të tjerash Pazarin e Vjetër si instrument për arkitekturën.
“Harresa që vjen nga shkatërrimi i një objekti fizik lidhet ngushtë me memorjen, duke ndërtuar nga e para edhe përmes gjurmëve që lë shkatërrimi. Pazari i vjetër i Tiranës është i ngjashëm tipologjikisht me pazaret otomane të rajonit ballkanik, të cilët në një mënyrë apo tjetër kanë pasur fate paralele me pazarin tonë. Shumë prej tyre janë sulmuar për arsye kombëtare, ideologjike dhe në shekullin e fundit kanë qenë në rrezik dhe krizë të vazhdueshme, prej së cilës shumë nuk kanë mundur të mbiejtojnë, ashtu si pazari jonë.”, - thotë Baxhaku.
I themeluar në fillim të shek. XVII, Pazari ishte një qendër e rëndësishme tregtare që funksionoi për rreth 300 vjet, duke u zhvilluar si zemra ekonomike e qytetit, ndërkohë që sot, historia e tij e ritreguar është jo thjesht historia e një qyteti e shoqërisë apo urbanistike, por edhe një histori politike.
Komente
