TIRANË- “Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zbuloi sot Amerikën, kur tha se do të eliminojë aksidentet në rrugë, duke e bërë dënimin minimal për shoferët e dehur, me 10 ditë burgim. Por kjo është një masë qesharake e një ministri qesharak”.
Kështu është shprehur zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi, përmes një komunikate për media.
Ajo ka denoncuar përpjekjet e Ministrit të Brendshëm për të larguar vëmendjen nga situata e rënduar e aksidenteve dhe viktimave në rrugët tona.
“Aktualisht, dënimi minimal për shoferët që kapen të dehur, është 5 ditë, sipas Kodit Penal. Pra Ministri, dënimin me 5 ditë, kërkon ta bëjë 10 ditë. Kjo është reforma e madhe e Tahirit. Por Ministri duhet të tregojë se sa shoferë të dehur janë ndaluar deri tani, dhe sa janë dërguar në prokurori për procedim penal”, ka vijuar Vorpsi.
Sipas saj, “E gjitha kjo nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje qesharake dhe e dënueshme për të larguar vëmendjen dhe përgjegjësitë nga aksidentet e shtuara në vend, nga numri i rritur i viktimave në rrugë dhe nga paaftësia Ministrit për të bërë reformat e duhura”.
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)





