PD 3 skenarë për Kavajën
drejt përplasjes me policinë

PD 3 skenarë për Kavajën<br />drejt përplasjes me policinë
Me dështimin e negociatave, ndërmjetësuar nga përfaqësuese të Parlamentit Evropian, Partia Demokratike ka intensifikuar përgatitjet për provën e dytë të mosbindjes civile në Kavajë, ku do të tentojë prishjen e procesit zgjedhor, për të treguar se ka fuqi edhe për të shkatërruar zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.

Një ditë pas takimit me krerët e partive aleate, kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me krerët e degëve të Partisë Demokratike. Në fokus të takimit mësohet se kanë qenë përgatitjet dhe modalitetet e protestës dyditore në Kavajë, për të pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve.

Sipas burimeve, porosia e parë për krerët e degëve ka qenë mobilizimi i bazës dhe maksimalizimin i pjesëmarrësve në protestë. Ndonëse përfaqësues të PD kanë deklaruar se marshimi do të jetë paqësor, vetë objekti i protestës, që konsiston në moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve në Kavajë, e rrëzon këtë opsion. Gjatë takimeve të Bashës me aleatët dhe krerët e degëve janë propozuar skenarë të ndryshëm, të cilët bashkohen në një pikë: Në prishjen e zgjedhjeve në Kavajë.

Sipas burimeve, skenari më i mundshëm është ia i bllokimit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore para procesit të votimit, si mënyra më e sigurtët për sabotimin e procesit. Në këtë kuadër, drejtuesit e strukturave të PD në rrethe janë udhëzuar për të sjellë një numër sa më të madh protestuesish në Kavajë, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme, pra që në datën 6 maj.

Mbështetësit e Partisë Demokratike do të kalojnë natën e 6 majit në Kavajë. Gjatë kësaj kohe, pra nga pasditja e 6 majit deri mëngjesin e së dielës, protestuesit mund të ndërhyjnë me forcë, për të shkatërruar bazën me materiale zgjedhore pranë KZAZ përkatëse. Megjithatë, një plan i tillë do të çonte në përplasje të pashmangshme të protestuesve me forcat e policisë.
 
Skenari i dytë  
Plani i Partisë Demokratike për shkatërrimin e materialeve zgjedhore që natën e gjashtë majit mund të dështojë, për shkak se Policia e Shtetit mund t’i mbajë në Tiranë materialet zgjedhore dhe t’i shpërndajë mëngjesin e shtatë majit.

Në këto kushte, protestuesit e Partisë Demokratike, që në orët e para të 7 majit, mund të rrethojnë qendrat kryesore të votimit, për të mos lejuar futjen e materialeve zgjedhore. Për shkak të një numri të madh të qendrave të votimit, PD synon të çojë sa më shumë protestues në Kavajë. Edhe ky skenar do të çonte në përplasje të pashmangshme me forcat e policisë.

Skenari i tretë
Në kampin e opozitës përflitet edhe një skenar tjetër më pak i mundshëm për zgjedhjet në Kavajë. Është më pak i mundshëm pasi mund të aplikohet vetëm nëse dështojnë dy skenarët e parë. Plani konsiston në rrethimin e qendrave të votimit, për të mos lejuar qytetarët për të votuar.

Por, një lëvizje e tillë, do të prodhonte konfrontime jo vetëm me policinë, por edhe me qytetarë të Kavajës, kryesisht të krahut të majtë. Një skenar i tillë mund të provokonte fillimin e përplasjeve sociale. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën