PD, Adrian Turku: 15 ditë heshtje
Rama solli krimin në Parlament

PD, Adrian Turku: 15 ditë heshtje<br />Rama solli krimin në Parlament
TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se po hesht lidhur me rastet e denoncuara nga kjo parti politike. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Adrian Turku, tha se edhe pse u sollën emra dhe fakte nga kjo forcë politike, kryeministri Rama nuk reagoi. Ndërkaq, deputeti Turku tha se më urdhër të Ramës kërcënohet me jetë opozita, sa herë që ai sikletoset nga denoncimet e PD.
 
“Prej 15 ditësh, opinioni publik pret një reagim nga Edi Rama, pasi është vërtetuar botërisht lidhja e tij me elementët kriminalë të cilët i ka sjellë në aulën e Parlamentit, në radhët e institucionit më të rëndësishëm në vend.
 
Kur provohet publikisht, me dokumenta dhe me dosjen e plotë penale, dënimi i deputetit Ndoka për Trafik Prostitucioni dhe Rrëmbim Personi, kryeministri i një vendi anëtar në Nato dhe që ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, minimalisht duhet të reagojë më një fjali.
 
Aq më tepër, kur Edi Rama ishte vetë që provokoi opozitën duke thënë, a keni emër, a keni prova.
 
E vërtetë, Shqipëria është në NATO e ka fituar statusin e vendit kandidat, por Edi Rama i përket një bote tjetër.
 
I përket botës së errët të aleancës me krimin, të përpjekjes për të krijuar një shoqëri të mbyllur, që dhunon opozitën, që kërkon të përgjojë cdo shqiptar në jetën e tij private, për të shantazhuar pastaj këdo që nuk mendon si ai.
 
Prandaj Edi Rama hesht. Hesht duke dashur të tregojë se ai e ka futur vetë me firmën e vullnetin e tij në kuvend, një të dënuar me krime të rënda. Ai dëboi nga lista dy kandidate gra për ti hapur rrugën të dënuarit drejt parlamentit. Ai e urdhëron atë të sulmojë e të kërcënojë me jetë opozitën, sa herë që Edi Rama sikletoset nga denoncimet e Partisë Demokratike.
 
Por Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë lidhjet kriminale të Edi Ramës. Do të denoncojmë e do të bëjmë transparencë para qytetarëve. Ne nuk lejojmë që ky vend të bëhet vilajet privat i Edi Ramës dhe bandave të tij”, tha Turku.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci