Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverisë se po lë jashtë paketës së ndihmës financiare 80 mijë biznese të vogla me të vetëpunësuar. Tabaku shprehet se epidemia dhe kriza ekonomike që ajo sjell me vete i prek të gjithë dhe për këtë qeveria nuk duhet të bëjë diskriminime.

Për Tabakun, qeveria ka rezervuar fondin prej 18 milionë euro për 30 mijë biznese, ndërsa 80 mijë të tjera nuk përfitojnë dot nga kjo paketë financiare.

"Që nga dita e djeshme gjithnjë e më shumë biznese të vogla me të vetëpunësuar më kanë nisur në inbox mua dhe kolegëve të mi mesazhe me prova të pakundërshtueshme për diskriminim që po u bëhet atyre. Plani ekonomik për biznesin e vogël është 18 milionë euro i rezervuar për 30 mijë biznese. Kushdo e ka të qartë që ky diskriminim do të ndodhte, ne si opozitë kemi ngritur këtë shqetësim që në ditën e parë.  Fatkeqësisht askush nuk na dëgjoi. Sot situata është më e trishtë, janë mbi 80 mijë biznese të vogla që nuk do të mund të marrin asgjë nga buxheti qeverisë. Me shumën e disbursuar deri më tani qeveria ka kompensuar 5% të Bizneseve të vogla në total dhe gati 9% të të vetëpunësuarve të këtyre bizneseve.

Ne kërkojmë mos diskriminim në këtë periudhë pandemie. Kriza ekonomike njësoj si virusi godet të gjithë shqiptarët, qofshin të majtë apo të djathtë. Prandaj duhet menduar më larg dhe duhet të jemi më vizionarë në politikat tona. Kjo është kërkesa jonë e vazhdueshme dhe këmbëngulëse." shkruan Tabaku.

Ish deputetja demokrate ka publikuar një dokument ku sipas saj janë dy biznese të tjera të mbyllura me vendim qeverie (njëra taksi dhe tjetra biznes i mbyllur shpk) që u refuzohet dhënia e ndihmës ekonomike nga buxheti COVID-19.