Partia Demokratike pretendon se koalicioni i majtë po bën përpjekje për të cenuar votën e lirë në Dibër dhe po shantazhon qytetarët për zgjedhjet që do të mbahen më 11 shtator 2016.

Partia Demokratike dorëzoi sot një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Renda për një grup që ajo e cilëson “të strukturuar Kriminal”, që sipas PD blen vota dhe kanosin votuesit dibranë për llogari të kandid​atit Muharem Rama.
 
Partia Demokratike sqaron se si prej mbi 10 ditësh po ushtrohet presion tek votuesit në Dibër duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë.
 
Në një deklaratë për mediat PD thekson funksionarë të lartë janë të përfshirë në këtë skemë.
 
Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër. Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë këta kriminelë të votës së lirë, të veshur me pushtet nga Edi Rama dhe lidhjet e tij kriminale”, thuhet në deklaratën e PD.

Ja kush janë personat e kallëzuar nga PD:

Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër.
Afrim Mikli, Kryetar i PS Dibër;
Arben Keshi, drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e parregullt në Republikën e Shqipërisë;
Agron Malaj, Drejtor Rajonal i OSHEE per Veriun;
Ylli Mikli, Administrator i njësisë administrative Muhurrit;
Spartak Koltraka;
Nuri Meta;
Qamil Leta, person me precedent penal, eksponent i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)
Jetmir Leshi, mjek, me detyrë anëtar i Komisionit Mjekësor të përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar (KEMP);
Drini Gjeci, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore në Bashkinë Dibër;
Sonila Braha, me detyrë Drejtore e Shërbimit Social;
Robert Aga, Shef i Komisariatit të Policisë Peshkopi.