TIRANE - Mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer replika lidhur me raportin e 'Freedom House', për lirinë e medias. E ndërsa opozita akuzoi qeverinë si përgjegjëse për humbjen e 2 pozicioneve të vendit tonë, PS ka replikuar duke thënë se raporti flet për lirinë e medias gjatë vitit 2013, vit në të cilin ka qenë në mazhorancë pikërisht PD. 

Më herët deputeti i PD Luçiano Boçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se rënia me 2 pozicione e Shqipërisë vjen për shkak të sjelljes sipas tij si kryeredaktor i mediave.

Ndërkohë nga ana tjetër ka replikuar deputetja e PS Esmeralda Shkjau e cila i rikujtoi opozitës se raporti flet për lirinë e medias gjatë vitit 2013, dhe se shkaktar sipas saj është vetë PD për gjobat e vëna në kohën që qeveriste.

PD: RAPORTI I FH, SHKAK SJELLJA E RAMES SI KRYEREDAKTOR

Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama duke e bërë përgjegjës sipas PD për humbjen e dy pozicioneve të Shqipërisë në raportin e “Freedom House” për lirinë e medias.

Në fjalën e tij deputeti Luçiano Boçi akuzoi kryeministri Rama duke e cilësuar sipas tij kryeredaktor të gazetave dhe televizioneve, ndërsa shtoi se Shqipëria ka marrë 98 pikë.

Por sipas raportit të 'Freedom House' 98 është pozicioni i Shqipërisë dhe jo numri i pikëve. Në raport thuhet se vendi ynë ka marrë të njëjtën kuotë pikësh si vitin e kaluar, 49, ku shkalla 0 është rezultati më pozitiv, ndërsa shkalla 100 është pika më e ultë.

“Freedom House, një vit më parë e vlerësoi Shqipërinë me 96 pikë, ndërsa këtë vit me 98, duke e larguar me dy pikë, çka do të thotë përkeqësim me dy pikë. Sigurisht që pritej një vlerësim i tillë, kur Kryeministri i vendit imponohet në fakt si kryeredaktori i  shumicës së gazetave dhe televizioneve në vend. Pritej përkeqësimi i lirisë së medias, kur Kryeministri urdhëron manipulimin e të dhënave, urdhëron tituj dhe shkrime për kundërshtarët politikë. Pritej përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri, kur Kryeministri ka bllokuar transparencën dhe i vetmi komunikimi i tij me publikun është propaganda me regji qendrore.” tha deputeti Boçi.

Boçi tha më tej se kjo gjë pritej pas dhunës sipas tij të kryeministrit Rama ndaj medias kritike dhe investigative.

PS: RAPORTI ESHTE PER 2013, FAJTOR JENI JU

Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për raportin e 'Freedom House'. Në fjalën e saj deputetja e PS Esmeralda Shkjau rikujtoi opozitës se raporti i Freedom House është për vitin 2013, vit në të cilin ka qenë në mazhorancë pikërisht PD. Ajo tha se rënia me 2 pozicione e vendit tonë vjen për shkak të gjobave të vëna në vitin 2013 nga ish-mazhoranca ndaj medias.

“Që opozita e ka humbur toruan pas fluturakëve fantazmë, këtë e dinim, por që të ngatërronin edhe vitin kur ata vetë kanë qeverisur në Shqipëri, nuk na e kish marrë mendja.
Raporti i “Freedom House” për lirinë e shtypit ka të bëj me vitin 2013, pikërisht me vitin e fundit të qeverisë Berisha, që për hir të së vërtetës bëri çmos për t’ia vështirësuar jetën medias, qoftë me gjoba e qoftë me mbyllje gazetash e televizionesh. Por falë ndryshimit të qeverisë e falë frymës të qeverisë së re, liria e medias në 2013 nuk është përkeqësuar si vitet e mëparshme, por pikëzimi i Shqipërisë ka mbetur i njëjti.” u shpreh Shkjau.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)