TIRANE - Partia Demokratike bojkoton punimet e Kuvendit.  Tre mbledhjet e zhvilluara në Komisionin e Integrimit, Komisioni i Ligjeve por dhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese janë braktisur nga deputetët e PD-së të cilët nuk kanë marrë pjesë në diskutimet e pr/ligjeve. 

KOMISIONI I INTEGRIMIT KALON PR/LIGJIN PER IMPORTIN E MBETJEVE
Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Integrimit miratuan sot paradite pa opozitën pr/ligjin për "Disa ndryshime në ligjin nr.10463, Datë 22.9.2011,“Për menaxhimin e integruar të mbetjeve" të ndryshuar.

Pr/ligji i miratuar nga kryeministri Rama në mbledhjen e parë të qeverisë, më 18 shtator, ndalon tërësisht importin e plehrave.

Mbledhja u drejtua nga Taulant Balla, nënkryetari i këtij komisioni pasi mungoi Majlinda Bregu.

Para deputetëve përfaqësuesi i ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi tha se pezullimi i pr/ligjit për importin, do të rriste riciklimin e mbetjeve në vend. 

Lavdosh Feruni, përfaqësues i Aleancës Kundër Importit të Plehrave tha se AKIP është dakord me këtë pr/ligj dhe se nenet janë në përputhje me kërkesat e firmëtarëve të referendumit     

PR/LIGJI DISKTUHET NE KOMISIONIN E VEPRIMTARISE PRODHUESE
Projektligji më pas ka  të diskutohet edhe në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, sërish pa praninë e opozitës.

komisioni i integrimit me logo

(Ne foto: Mbledhja e sotme e komisionit te Integrimit)


KOMISIONI I LIGJEVE KALON PROJEKTLIGJIN PER "MASAT KUNDËR FINANCIMIT TË TERRORIZMIT"

Projektligji per "Masat kundër financimit të terrorizmit", kaloi pa ndryshime në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ndërsa si edhe në komisionet tjera, opozita ka vazhduar me bojkotin e saj.
 
Projekt ligji përcakton masat kundër financimit të terrorizmit, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara, si dhe qëllimi i këtij drafti është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve dhe atyre që mbështetin e financojnë atë. 
Si në parim, ashtu edhe nen për nen, projektligji ka kaluar pa debate, ndërsa relatorja Ermonela Felaj, ka thënë, se sipas këtij projektligji, ndryshe nga ligji ekzistues për këto masa informohet dhe ministri i Jashtëm.
 
Ky i fundit, për të gjitha të dhënat apo në lidhje me financimet e terrorizmit, tentativat apo edhe rastet kur tentohen të pastrohen para të elementëve terroristë, i raporton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dhe, sipas nenit 14, Ministri i Punëve të Jashtme, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit të Këshillit të Sigurimit, i propozon Këshillit të Ministrave përfshirjen në listën e personave të shpallur, duke njoftuar njëkohësisht organet përgjegjëse, ato të zbatimit të ligjit, shërbimet informative dhe ministrin e Financave, i cili mund të vendosë bllokimin e përkohshëm për fondet dhe pasuritë e tjera të këtyre personave.

Dhe javën e kaluar, opozita bojkotoi mbledhjet e Komisionit të Sigurisë dhe mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Që prej fillimit të legjislaturës,  demokratët janë larguar 2 herë nga séance parlamentare.  Seancën e parë pasi akuzuan Ramën i cili po prezantonte programin qeverisës se fyu dhe kërcënoi opozitën. Seancën e dytë pasi mazhoranca futi në rend të ditës aktin normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për shërbimin civil.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)