PD braktis Majlinda Bregun 
nuk i mbështet dy nismat e saj

PD braktis Majlinda Bregun <br />nuk i mbështet dy nismat e saj
Kritikat ndaj Lulzim Bashës kanë filluar të japin efekte në marrëdhëniet e PD-së me Majlinda Bregun.

Ajo duket se do të ngelë e vetme për dy projektligjet e saj të depozituara në kuvend: atë për fshirjen e komenteve fyese në mediat online dhe atë të testimit psikologjik të mësuesve. Këto dy nisma të deputetes demokrate nuk do të mbështeten nga Grupi Parlamentar Demokrat.

Burime pranë këtij grupi, saktësuan për Shqiptarja.com se nuk do të mbështeten këto nisma dhe përkatësisht dhanë dhe argumentet pse nuk janë dakord me kolegen e tyre, Majlinda Bregu.

Nisma për komentet
Projektligji për disa ndryshime në “Kodin Civil” është depozituar në Kuvend në 22 janar të vitit të shkuar. Në këtë amendim, Majlinda Bregu kërkon që komentet në faqet e medieve online, të fshihen në rast se ato përmbajnë fyerje apo sharje. Sipas, projektligjit, është përgjegjësi e administratorit të faqes online fshirja e tyre, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi individuale. Por që prej janarit të 2015 e deri më tani, ky projektligj nuk avancoi në axhendën parlamentare. Teksa deputetja Bregu ishte duke përgatitur një ndryshim në nismë, duke tërhequr pretendimet e saj fillestare, “goditja” ka ardhur nga kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo i cili e ka futur atë në kalendar, i vetëdijshëm se do të rrëzohet. Pollo nuk i ka dhënë Bregut “luksin” e dorëheqjes në heshtje, teksa ka preferuar t’i “dhurojë” asaj një votim kundër nga vetë PD-ja. “Teksa dikush ka marrë përsipër të hyjë në politikë, i ka marrë parasysh disa risqe, mes të cilave edhe fyerjet. Askush nuk ka pse frikësohet nga kjo, e po ashtu në këtë rast kemi të bëjmë me cenim të lirisë së shprehjes”,-thanë burime pranë grupit parlamentar demokrat për këtë çështje. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës, e cila ka dhe shumicën e votave në raport me këtë ligj.

Nisma për mësuesit
Drafti për testimin psikologjik të mësuesve është propozuar nga deputetet Mesila Doda, Albana Vokshi dhe Majlinda Bregu. Drafti synon identifikimin e mësuesve të dhunshëm, mësuesve me çrregullime mendore, me devijime të personalitetit, mësues pedofilë, maniakë etj., për t’u ndërprerë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Por, me sa duket, as në këtë rast vetë PD nuk do të mbështesë dy deputetet e saj Bregu e Vokshi.

Burimet thonë se vetë Albana Vokshi është drejt tërheqjes nga kjo nismë, ndërsa PD e quan të papranueshëm. Burime nga grupi parlamentar i PD-së, i thanë Shqiptarja.com se ka disa arsye që nuk mbështet ky projektligj. Sipas tyre, kartela shëndetësore është private dhe quhet informacion personal, ndaj ai nuk mund të publikohet. Arsyeja e dytë, është se mësuesit marrin vërtetim mjekësor të aftësisë për punë nga një komision mjekësor, ndërsa testimi psikologjik që han interpretim, mund të përdoret ose keqpërdoret nga drejtuesit arsimorë si pretekst për të larguar nga puna mësuesit. Po ashtu, një tjetër argument nga ana e PD-së, është fakti se “OK” i psikiatrit për vijimin e punës do të jetë një burim i ri korrupsioni aktiv. Për këto arsye, demokratët nuk do ta mbështesin nismën, ndërsa mazhoranca nuk ka shprehur asnjë qëndrim lidhur me këtë nismë.
 
Mësuesit
Mësuesit e arsimit parashkollor, të arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm do të ushtrojnë profesionin e mësuesit vetëm pasi të kalojnë me sukses një testim psiko-emocional.
 
Mediat
Majlinda Bregu kërkon që komentet në faqet e medieve online, të fshihen në rast se ato përmbajnë fyerje apo sharje. Është përgjegjësi e administratorit të faqes online fshirja e tyre.
 
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk