Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka paditur në SPAK kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar për korrupsion, pastrim parash e shpërdorim detyre lidhur me librin ‘The Albanian Files’.
PD pretendon se libri, i cili përmban nisma arkitekturore të planifikuara për Shqipërinë, dëshmon aferat korruptive të Ramës, shumat e parave të përfituara dhe përzgjedhjen e investitorëve apo ndërtuesve sipas interesave.
“Nga përmbajtja e këtij libri, zbardhet skema se si shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër/Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (në vijim «KKT»), përzgjidhte studiot ndërkombëtare të artitekturës, i kontaktonin, takonin dhe më pas krijonin lidhjet me investitorë apo ndërtues shqiptarë. Këta të fundit paguanin shuma të larta për projektimin dhe më pas përfitonin leje ndërtimi për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve apo resorteve në Tiranë dhe zonat bregdetare të vendit”, thotë PD.
PD thotë se procedurat e ndjekura për zhvillimin e projektit nuk mbështeten në ligj, por vetë Rama bën ndërlidhësin mes investitorit dhe biznesmenëve shqiptarë për të kaluar pastaj të marrja e lejes së ndërtimit. Ndër të tjera, ata thonë se tarifat përcaktoheshin të larta çka ndikon direkt në çmimin e shitjes.
“Rastet e përmendura në «Albanian Files» provojnë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit në Tiranë, veçanërisht ndërtimi i kullave të larta, nuk ndiqte procedurën normale, ku një investitor paraqiste dokumentacionin teknik dhe ligjor për ndërtimin e një vepre pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, dhe në përfundim të procedurës administrative, çështja i kalonte Këshillit Kombëtar të Territorit për vendimmarrje. Në fakt, ishin shtetasit Edi Rama, Kryetar i KKT-së, i cili identifikonte, kontaktonte dhe takonte studiot e arkitekturës, të cilët më pas i lidhnin me investitorë apo biznemenë shqiptar për të vijuar procedurat e projektimit dhe marrjes së lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Arkitektët dhe studiot ndërkombëtare që u imponoheshin investitorëve shqiptarë, kishin tarifa shumë të larta, deri në 10-fishin e çmimeve të tregut, çka sillte më pas rritje të kostove, e për rrjedhojë rritje të çmimeve të shitjes së sipërfaqeve të ndërtimit. Nëse çmimet mesatare të projektimit variojnë nga 7-10 euro për m2, arkitektët e huaj faturojnë 60 euro/m2, duke arritur kështu në kosto projektimi nga 300 mijë deri në 2 milionë euro. Megjithatë, kjo shihet si një mënyrë e sigurtë për të përfituar lejen e zhvillimit apo ndërtimit nga AZHT-ja dhe KKT-ja”, thotë PD.


Komente











