Paraditen e së martës, Partia Demokratike pretendoi se Porti i Durrësit është i bllokuar prej 4 ditësh për shkak se nuk ka naftë për vinçat.
Në një prononcim për mediat, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana deklaroi se kjo është e qëllimshme dhe se sipas saj, po bëhet për të marrë peng Portin e Durrësit dhe për ta shkatërruar atë.
“Porti është i bllokuar prej 4 ditësh me pretendimin se nuk ka naftë për vinçat, është e qëllimshme për të marë peng Portin dhe për ta shkatërruar atë. Nëse anijet ankorohen në një port tjetër çmimi i mallrave do të rritet. Porti është jetik jo vetëm për Durrësin por për Shqipërinë. Akuzoj Drejtorinë Portuale të Durrësit dhe kryeministrin Rama se po përpiqen të uzurpojnë Portin e Durrësit. Edi Rama ka vendosur t’i përzëjë durrsakët natën dhe jo ditën. I bëj thirrje SPAK ku ne do të bëjmë një kallëzim për vjedhje të pronës publike.” tha Kuçana
Por menjëherë më pas, Autoriteti Portual i Durrësit përgënjeshtroi Kuçanën duke thënë se vinçat e portit janë elektrikë dhe punojnw me energji elektrike. Sipas Autoritetit, flota e elektrovinçave është në funksionalitet të plotë dhe garanton vijimin normal të operacioneve portuale.
“Operacionet portuale vijojnë normalisht në të gjitha terminalet, duke garantuar ritëm dhe efikasitet në përpunimin e mallrave. Në Terminalin e Konteinerëve, vijon pa ndërprerje shkarkimi i anijes përmes flotës së vinçave në funksionalitet të plotë” shkruan Autoriteti Portual i Durrësit në Facebook
Gjatë fjalës së saj, Kuçana tha se do të ndërmerren denoncime në lidhje me punimet për ndërtimin e marinës turistike dhe kritikoi edhe projektin e Velierës si shkeljen e radhës të Qeverisë Rama.
Komente










