Siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike dërgoi në Kushtetuese, rregulloren e Kuvendit bashkë me dekretin e Presidentit Begaj për ministren virtuale Diella. Sot në mbledhje grupi, me gjithë kritikat për rregulloren që i ndau komisionet parlamentare në 7 me 4 për mazhorancën, demokratët do të dërgojnë në seancën e së mërkurës emrat e anëtarëve të tyre.
***
Ministrja virtuale e qeverisë, Diella pak kohë pas krijimit të saj, do të përballet me betejën e parë ligjore në dyert e gjykatave.
Sikurse kishin paralajmëruar, demokratët depozituan këtë të martë padinë në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar dekretin e Bajram Begajt që në nenin 2 të tij autorizonte Kryeministrin Edi Rama për funksionimin e ministrisë virtuale.
“Krijimi i një “ministri" virtual apo real nga Presidenti i Republikës është në tejkalim të kompetencave të Presidentit të Republikës, cenon kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave. Caktimi i përgjegjësive të reja nga Presidenti për Kryeministrin vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe cënon edhe pushtetin legjislativ (Kuvendin), duke qenë ky i fundit i vetmi organ që ka të drejtën të miratojë ndryshime kushtetuese apo ligjore, të cilat shtojnë, pakësojnë, ndryshojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Kryeministrit”.
Bashkë me Presidentin e Ramën, në Kushtetuese demokratët dërguan por pa zhurmë edhe Niko Peleshin, e konkretisht ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për ndarjen e re të komisioneve parlamentare.
Por teksa bëjnë betejë në Kushtetuese, nga selia blu vijnë sinjalet e para se vendet e tyre në komisione, demokratët nuk do t’i lënë bosh. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD u miratuan anëtarët për 11 komisionet parlamentare të përhershme, të cilët bashkë me kryetarët e 4 komisioneve që drejtohen nga opozita dhe 7 zv/kryetarëve të atyre që drejtohen nga mazhoranca do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend.
Të mërkurën në orën 10:00, nga ana tjetër Kuvendi do të mblidhet për të miratuar anëtarët e komisioneve parlamentare, me mazhorancën që emrat i depozitoi më herët zyrtarisht.
Cilat janë pikat që PD i argumenton si antikushtetuese në dekretin e Presidentit për ministren virtuale ‘Diella’?
Përveç se Presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave të tij, ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që rregullojnë cilësitë që duhet të ketë personi që emërohet ministër.
Presidenti ka krijuar praktikisht një strukturë të re ministrore (ministri virtuale), si dhe ka ngarkuar Kryeministrin me një përgjegjësinë të re për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale "Diella".
Në asnjë prej dispozitave që rregullojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Presidentit të Republikës nuk gjejmë një kompetencë të tillë në mënyrë direkte apo të nënkuptuar.
krijimi i një “ministri" virtual apo real nga Presidenti i Republikës është në tejkalim të kompetencave të Presidentit të Republikës, cënon kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Caktimi i përgjegjësive të reja nga Presidenti për Kryeministrin vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe cënon edhe pushtetin legjislativ (Kuvendin), duke qenë ky i fundit i vetmi organ që ka të drejtën të miratojë ndryshime kushtetuese apo ligjore, të cilat shtojnë, pakësojnë, ndryshojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Kryeministrit.
koncepti "Ministri Virtual i Inteligjencës Artificiale "Diella", vjen në kundërshtim me Kushtetutën, qoftë në drejtim të cilësive të kërkuara të të qenurit ministër, procedurës së emërimit të tij, betimit para Presidentit të Republikës, si dhe ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë (Kërkesa e PD dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit)

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë (Kërkesa e PD dërguar në Gjykatën Kushtetuese për ministren Diella)
/Lajmi në përditësim...
Komente












