Zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend 'non grata' në SHBA. Deklaratën e fortë e ka bërë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një intervistë për Top Channel.

Ajo u shpreh se nuk mund ta imagjinojnë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur 'non grata' nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.

“Nuk ka për të ndodhur. Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Kim.

Kjo deklaratë e ambasadores amerikane vjen në një moment kur pritet që Sali Berisha të dorëzojë firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Ai më parë ka shpallur edhe  kandidaturën për kryetar të PD. 

Më 19 maj të këtij viti DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA  Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA. Por beteja e Berishës tashmë nuk është vetëm kundër SHBA, por edhe kundë Lulzim Bashës i cili pranoi kërkesën e amerikanëve duke e përjashtuar liderin historik të PD nga partia, deri në zbardhjen e të vërtetës në rrugë ligjore.