TIRANË- Mes pakënaqësive për humbjet e njëpasnjëshme elektorale dhe në mesin e protestave të vazhdueshme të cilat nuk e kanë arritur objektivin për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, demokratët hyjnë në zgjedhje të brendshme.

Më 23 maj, anëtarësia është thirrur për të zgjedhur kryetarin e ri. I vetmi kandidat që dihet është vetë Sali Berisha, i cili e ka deklaruar shumë më herët që nuk do të heqë dorë nga drejtimi i partisë, të cilën e rimori në 2022-shin.

Përballë tij, ende asnjë rival zyrtar për të drejtuar partinë më të madhe opozitare në vend për 4 vitet e ardhshme.

Në fakt, Sali Berisha nuk duhej të ishte më në krye të PD-së që pas 11 majit të vitit 2025 kur humbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kështu parashikohej në statutin e PD-së në të ashtuquajturin “Neni Basha”, që e detyron largimin e kryetarit  menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve.

Por, në kushtet kur nuk është respektuar për asnjë moment, me argumentin e ri: se nuk humbi, por u vodh, ky nen tashmë është në pikëpyetje. Kryesia ngriti këtë të hënë grupin e punës të kryesuar nga Gazment Bardhi për të rishkruar statutin e partisë, duke lënë të hapura mundësitë që neni 46 të hiqet, ose të pësojë ndryshime.

Votimi i statutit të rishikuar do të bëhet pas disa muajsh, më 6 Qershor, kur edhe të ketë përfunduar procesi i votimit qoftë në degë, qoftë për kryetarin.

Vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë së PD-së, u komentuan në distancë nga ish anëtari i saj Ervin Salianji që Berisha e ka distancuar nga partia pasi ky i fundit nisi kritikat ndaj lidershpit blu përmes një turi foltoresh me demokratët.

Salianji e quajti uzurpim të partisë, përpjekjen e Berishës për rregulla të reja loje.

"Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: shkatërrim të degëve, përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve. Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, lind pyetja: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?", shkroi Salianji. 

Ervin Salianji shihej si një nga figurat e vetme që mund të shpallte kandidaturën përballë Sali Berishës, por me listat e reja të anëtarësisë, ai mund të ngelet jashtë Partisë Demokratike përfundimisht.

Ndërkohë, Berisha e përdori mbledhjen e Kryesisë për të sulmuar shefin e delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e quajtur avokat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nga ana tjetër sipas tij, mjegullon qëndrimin e PD-së, pro integrimit.

“Ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Gënjeshtra e dytë është, se axhenda jonë është MAGA. Por, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE”, tha Berisha.

Grupi për Rishikimin e Statutit:
1. Gazment Bardhi - Kryetar
2. Oerd Bylykbashi - Anëtar
3. Ivi Kaso - Anëtar
4. Gent Strazimiri - Anëtar
5. Enno Bozdo - Anëtar
6. Elda Hoti - Anëtar
7. Keltis Kruja - Anëtar
8. Adriana Kalaja - Anëtar
9. Marash Logu - Anëtar
10. Franc Nuri - Anëtar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Kryesia e PD/ Emrat e grupit të punës për modernizimin e komunikimit dixhital të partisë

Report Tv mëson edhe emrat për grupin e punës për modernizimin e komunikimit dixhital të partisë, që nga aksesi në listat online, komunikimi digjital mes degëve dhe qendrës, si dhe ndërtimi i platformave për informimin dhe komunikimin me qytetarët/anëtarët brenda dhe jashtë vendit, i miratuar sot në kryesi.

Grupi i punës
Ervin Minarolli
Belind Këlliçi
Ina Zhupa
Besart Xhaferri
Albana Vokshi
Klevis Balliu
Grigels Muçollari
Ora 13:36
Ervin Salianji i përgjigjet Berishës: Ndryshimi i rregullave në parti dhe sulmi ndaj ndërkombëtarëve, shërbim për Ramën

I menjëhershëm ishte reagimi i ish-deputetit Ervin Salianji ndaj Sali Berishës, pas sulmit që i bëri shefit të delegacionit të BE-së në Tiranë, por edhe lidhur me grupin e punës që Kryesia ngriti për rishikimin e statutit. Salianji, i cili prej kohësh ka dalë kundër qëndrimeve të Sali Berishës dhe ka nisur edhe një tur foltoresh me demokratët, nuk merr pjesë në mbledhjet e Kryesisë, por replikën me Berishën e bëri përmes rrjeteve sociale duke e akuzuar se po i shërben Ramës, me të njëjtat sjellje dhe veprime si ai.

Salianji ka dalë hapur edhe kundër ndryshimeve që pritet në Statut, duke thënë se PD nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme. Sipas Salianjit, neni 46 është i qartë, nen që parashikon se kreu i PD duhet të dorëhiqet kur humb zgjedhjet parlamentare dhe se përflitet që mund të ndryshojë me rishikimin e statutit.

“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangien e ligjit, për shkeljen e barazisë para ligjit dhe për përpjekjen për të ndryshuar rregullat për pezullimin e ministrave Kryeministrit. Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve! Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar.

Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve  përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve. Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa. Sepse në fund lind pyetja që askush nuk do ta dëgjojë, por që shumë qytetarë tashmë e bëjnë: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”, shkruan Salianji.

Ora 13:13
EMRAT/ Ja kush janë 10 anëtarët e grupit të punës për rishikimin e Statutit të PD

1771657506_seliaepd.jpg

Në Kryesinë e PD është vendosur edhe ngritja e një grupi pune për rishikimin e Statutit të PD. Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka mësuar emrat e 10 anëtarëve të grupit të punës. 

Grupi për Rishikimin e Statutit:
1. Gazment Bardhi - Kryetar
2. Oerd Bylykbashi - Anëtar
3. Ivi Kaso - Anëtar
4. Gent Strazimiri - Anëtar
5. Enno Bozdo - Anëtar
6. Elda Hoti - Anëtar
7. Keltis Kruja - Anëtar
8. Adriana Kalaja - Anëtar
9. Marash Logu - Anëtar
10. Franc Nuri - Anëtar
Ora 13:11
Report Tv mëson datat, ja kur do të zhvillohen zgjedhjet në PD! Më 23 maj referendumi për kryetarin e partisë, më 6 qershor Kuvendi Kombëtar

1773661315_kryesiapd.jpeg

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka mësuar datat se kur do të zhvillohet procesi zgjedhor në PD. Burime thonë se afati për përfundimin e procesit për zgjedhjen e kryetarëve të degëve do të jetë 30 prilli, ndërsa më 23 maj referendumi për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Ndërkohë, më datë 6 qershor mblidhet Kuvendi Kombëtar.

Datat e procesit zgjedhor në PD
- Deri në 30 Prill mbaron zgjedhjet në Degë
- 23 Maj zgjedhja e Kryetarit të PDSH
- 6 Qershor Kuvendi Kombëtar
Ora 12:39
Berisha sulmon Gonzaton: Përpiqet të mjegullojë qëndrimin e PD për integrimin, sillet në Bruksel si ambasador i Ramës (VIDEO)

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, sulmoi shefin e delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e quajtur avokat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nga ana tjetër sipas tij, mjegullon qëndrimin e PD-së, pro integrimit.

Berisha tha në mbledhjen e Kryesisë se Gonzato mashtron në Bruksel, duke thënë se axhenda e PD është MAGA dhe jo integrimi i Shqipërisë në BE. 

“Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel. Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse, sepse të shpallësh AKSHI-n problem kulturor të shqiptarëve në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që u bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrje nuk është kulturë e shqiptarëve. Dhe është një fyerje e rëndë që u bëhet shqiptarëve.

Ky zotëri përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD-së në procesin e integrimit. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ai këtë. Tani unë do t’i them po këtu, forca jonë politike është forca që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin e statusit të kandidatit që e ka bllokuar Edi Rama me tre ligjet, dhe përveç hapjes së negociatave, çdo marrëveshje tjetër.

Gënjeshtra e dytë e madhe e tij në komunitetin ndërkombëtar për PD-në është se axhenda jonë është MAGA. Axhenda jonë, në qoftë se kishim vendosur të ishte MAGA, ne nuk fshihnim asgjë, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE. Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë se Donald Trump kur erdhi LaCivita ka ardhur me një cek 9 miliardë dollarë për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është qarkulluar në nivelet më të larta. Turp më i madh...”, tha Berisha.