TIRANË – Partia Demokratike nuk ka hequr dorë nga ngritja e komisionit hetimor për trafikun e drogës, duke e përsëritur edhe njëhërë kërkesën e saj sot në Konferencën e Kryetarëve. Po ashtu, ka kërkuar përfshirjen në kalendarin e Kuvendit, edhe të raportit të Komisionit hetimor për Policinë.
 
Duke iu përgjigjur kërkesave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Palokës, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta sqaroi se janë çështje me të cilat po merren organet e drejtësisë.
 
Por, kërkesat e PD-së nuk kanë mbaruar aty, pasi kreu i Komisionit të Edukimit dhe Medias, Genc Pollo ka kërkuar edhe që në seancës e së  enjtes të mos përfshihet shpallja e vendit vakant të Kryetares së AMA-s, Endira Bushatit.
 
Konferenca e Kryetarëve miratoi Draft-Kalendarin e Punimeve të Kuvendit  për periudhën 26 maj -13 qershor 2014 si dhe Draft-Programin e Punimeve të Kuvendit për periudhën 26 maj -4 korrik 2014.
 
Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)