TIRANË - Mazhoranca ka miratuar sot  projektligjin për armët pas shumë debatesh në Komisionin e Ligjeve. Opozita votoi kundër këtij projektligji, i cili parashikon se funksionarët e lartë të shtetit dhe qytetarët mund të mbajnë armë.


Në nenin 18, parashikohet se veç deputetëve, ministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe atij të Lartë, mund të mbajnë armë edhe zv/ministrat, prefektët si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë një kapital mbi 50 milionë lekë.

Opozita ka kundërshtuar armëmbajtjen për deputetët dhe ministrat. Ndërkohë, në draft parashikohet edhe armëmbajtja për punonjësit e Bankës së Shqipërisë si dhe të autoritetit portual. 


Nderkohe një ditë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj opozita kërkon moratorium për ligjin e armëve, duke ndaluar kështu armatosjen e çdo zyrtari, nën argumentin se kriminaliteti është në rritje.

Kërkesa është bërë në komisionin e Integrimit. Sipas deputetit të PS-së Taulant Balla armë duhet të mbajnë vetëm 2 kategori, policia dhe ministria e Mbrotjes dhe kërkon  heqjen dhe riformulimin e nenit 18- të këtij ligji i cili pajis me autorizim për mbajtjen e armës deputetë, shoferët e tij, ministra, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, zv/ministra, prefektë si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë kapital jo më pak se 50 milionë lekë. Por mendimi i deputetit socialist u rrëzua nga komisioni.

“Në 24 orë u shënuan 2 vrasje. Ne si deputetë ndajmë shqetësimin se mbajtja e armëve pa leje është në duart e kriminelëve. Qeveria në bashkëpunim me 3 pushetet të bënte moratorium.”- ka thënë deputeti socialist Taulant Balla.

Por zv ministri i Brendshëm Arben Ristani ka theksuar se këto mendime që kërkojnë shumicë të cilësuar duhen bërë tek Kodi Penal.


Redaksia online
(sg/ar.sh/shqiptarja.com)