PD e shqetësuar për Vettingun
letër Calaverës, Lu e Vlahutin

PD e shqetësuar për Vettingun<br />letër Calaverës, Lu e Vlahutin
Kryetari i grupit parlamentar i PD, Edmond Spaho i është drejtuar përmes një letre kreut të ONM dhe ambasadorëve të SHBA e BE në Tiranë, lidhur me vendimin e qeverisë për të shkurtuar shpenzimet për Vettingun. Struktura e organeve të Vettingut u miratua në Kuvend javën e kaluar me disa ndryshime nga propozimet e para të krerëve të këtyre institucioneve. "Mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, pa dakortësinë e vetë organeve të reja të vettingut, vendosi të shkurtonte me rreth 40 për qind numrin e punonjësve, duke miratuar për të tre organet gjithësej 110 punonjës. Kjo strukturë e re, e hartuar nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, edhe pse nuk gjeti dakortësinë e vetë organeve kushtetuese të vettingut, u miratua po me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 28 Shtator 2017", thuhet në letrën e Spahos. 

PD kujton se me këtë vendim të maxhorancës cenohet pavarësia e organeve të Vettingut dhe efikasiteti i punës së tyre. "Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve", thuhet më tej në letrën e kreut të deputetëve demokratë. 

Letra e plotë e Spahos: 

SH.S.ZJ. GENOVEVA RUIZ CALAVERA
Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
 
Në vëmendje:                       Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë
 
                                                Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë
                                                               
Të gjitha Ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë
 
Lënda:                        Shqetësime mbi mungesën e vullnetit të mazhorancës për të mbështetur organet e reja të vettingut
 
 
 
E nderuar Shkëlqesia Juaj zonja Calavera,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
 
Më lejoni fillimisht të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time të thellë për punën Tuaj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin mbi mënyrën e nisjes së zbatimit të Reformës në Drejtësi.
 
Organet e reja të vettingut i paraqitën Kuvendit të Shqipërisë propozimin për miratimin e strukturave të tyre, duke argumentuar nevojën për staf administrativ dhe mbështetës, me një numër total punonjësish për të tre organet prej 185. Në këtë numër përfshihen 21 anëtarët e tre organeve të vettingut, 42 këshilltarët e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, 12 përkthyesit, si dhe stafi mbështetës dhe administrativ. Numri i personelit ishte vlerësuar si i domosdoshëm për funksionimin autonom dhe eficient të organeve të vettingut, prej vetë këtyre organeve në relacionet shoqëruese që i kishin përcjellë Kuvendit, duke ruajtur një raport të drejtë midis stafit që do të përfshihet drejtëpërdrejtë në procesin e rivlerësimit, me numrin e stafit mbështetës dhe administrativ, sipas raportit të ndjekur edhe nga vetë struktura e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
 
Mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, pa dakortësinë e vetë organeve të reja të vettingut, vendosi të shkurtonte me rreth 40 për qind numrin e punonjësve, duke miratuar për të tre organet gjithësej 110 punonjës. Kjo strukturë e re, e hartuar nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, edhe pse nuk gjeti dakortësinë e vetë organeve kushtetuese të vettingut, u miratua po me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 28 Shtator 2017. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 përqind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cënim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Kuvendi, nëpërmjet këtij vendimi, i ka diktuar mënyrën e organizimit organeve të pavarura, duke mos pranuar kërkesën e tyre për personel të mjaftueshëm për realizimin e detyrës. Një veprim i tillë, bie ndesh jo vetëm me nenin 18 të ligjit nr. 84/2016, për shkak se struktura që po miratohet nuk është propozim i vetë organeve të rivlerësmit (siç ligji e kërkon), por nga ana tjetër, kjo bie ndesh edhe me pikën 6 të nenit 179/b të Kushtetutës dhe pikën 14 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës, ku thesohet se: “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë të pavarur dhe të paanshëm”, si dhe “Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, sipas ligjit”.
Nga këto parashikime kushtetuese dhe ligjore, arrihet të evidentohen dy elementë themelorë që duhet të mbaheshin në konsideratë nga Kuvendi:
Së pari, Kushtetuta dhe ligji i siguron institucioneve të rivlerësimit personelin e nevojshëm për të përmbushur detyrat. Për pasojë, Kuvendi është i detyruar nga Kushtetuta dhe ligji, që të sigurojë stafin e nevojshëm për organet e rivlerësimit. Çdo ndryshim në strukturat e propozuara nga organet e rivlerësimit, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe dakortësi të plotë me vetë këto organe të pavarura.
Së dyti, edhe pse struktura miratohet nga Kuvendi, propozimi për këtë strukturë duhet të vijë nga vetë organet e rivlerësimit. Propozimi i akteve nga vetë organet e rivlerësimit, nuk është aspekt formal i parashikuar nga ligji, por lidhet me dy aspekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pavarësinë organizative të organeve të rivlerësimit, si dhe vlerësimin e tyre të pavarur mbi nevojat që kanë për personel me qëllim ushtrimin e funksionit. Kuvendi, është përfshirë në këtë proces, me qëllim që të verifikojë nëse organet e rivlerësimit kanë ose jo mjaftueshëm personel për realizimin e detyrës funksionale, dhe kurrësesi për të mos pranuar kërkesën e organeve të pavarura për burime njerëzore.
 
Qëndrimi ynë është se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mbështesë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, duke i mundësuar atyre të gjithë mbështetjen me burime njerëzore dhe financiare që kërkohet. Ajo që mund të bëjë Kuvendi është që në diskutim dhe dakortësi me organet e pavarura, të bëjë një shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore të kërkuara, duke vendosur theksin tek efikasiteti i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
Në strukturën e miratuar vetëm me votat e shumicës në Kuvend, rezulton se është ulur numri i punonjëve të Njësisë së Shërbimeve Ligjore, krahas uljes së numrit të punonjësve të tjerë mbështetës të organeve të rilverësimit. Për ilustrim, Kolegjit të Apelimit, nga 14 këshilltarë të kërkuar në përbërjen e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, është miratuar të ketë vetëm 10 këshilltarë E njëjta situatë është edhe për Komisionerin Publik, ku rezulton se nga 12 këshilltarë të kërkuar, i janë miratuar vetëm 6 këshilltarë. Ky ndryshim, prek thelbin e procesit të rivlerësimit dhe i pamundëson këtyre strukturave përmbushjen e detyrave sipas Kushtetutës dhe Ligjit. Në vlerësimin tonë, vecanërisht “Njësia e Shërbimit Ligjor”, duhet të ketë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të udhëhequr, nën drejtimin dhe kontrollin e anëtarëve të organeve të rivlerësimit, të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Organet e rivlerësimit nuk mund të marrin të mirëqena inforamcionet dhe relacionet e përgatitura nga organet e treta nën ndikimin e Qeverisë.
 
Mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të vettingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e Qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore. Gjithashtu, mungesa e burimeve të mjaftueshme njerëzore do të sillte zgjatjen e paarsyeshme të procesit të rivlerësimit, i cili sic shprehet edhe Komisioni i Venecias (paragrafi 98 i Opinionit të Ndërmjetëm) krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik tek gjyqësori, devijon vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin.
 
Qëndrimi i Kryeministrit në seancë plenare, duke i trajtuar këto institucioni njëlloj me Ministritë në varësinë e tij, duke i diktuar strukturën dhe numrin e stafit mbështetës, është i papranueshëm, dhe provë e qartë se Qeveria nuk synon realizimin e procesit të vettingut në mënyrë të pavarur dhe se nuk i trajton organet e vettingut si organe të pavarura kushtetuese, ku Qeveria nuk mund të diktojë as mënyrën e funksionimit dhe as mënyrën e organizimit. Po aq i papranueshëm është edhe qëndrimi i Kryeministrit në seancë plenare, sipas të cilit, organet e vettingut nuk kanë nevojë për përkthyes, sepse do të ndihmohen në punën e tyre nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila do t’ia përkthejë materialet. Ky pohim i Kryeministrit në seancë plenare, provon tendencën e tij për ndërhyrjen e Qeverisë në veprimtarinë e organeve të pavarura të vettingut, cka rrezikon seriozisht të gjithë procesin. Edhe qëndrimi i mazhorancës se për momentin do t’i vendosë organeve të vettingut këtë staf të reduktuar, dhe më pas duke vlerësuar punën e tyre, mund të pranojë kërkesën për shtesa në burime njerëzore, është tregues i qartë i tendencës për t’i vënë këto organe të pavarura nën kontroll dhe shantazh nga ana e Qeverisë. Shantazhim është edhe trajtimi jo serioz i kërkesave të organeve të vettingut, si dhe tendenca nga Kryeministri dhe përfaqësuesit e tij, për t’i trajtuar kërkesat e tyre si shpenzime luksi dhe të panevojshme, duke i denigruar titullarët e këtyre institucioneve në publik.
 
Ndryshimi i strukturave të propozuara nga vetë organet e vettingut, duke i diktuar atyre 40 për qind më pak staf, si dhe këto qëndrime të Kryeministrit në seancë plenare, janë tërësisht të papranueshme, dhe provë e qartë e mungesës së vullnetit të mazhorancës për suksesin e procesit të rivlerësimit, duke sabotuar që në nisje këtë proces. Sabotimi i procesit të vettingut, rrezikon seriozisht funksioimin e të gjitha organeve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe dy organet e rëndësishme SPAK dhe BKH.
 
Në përfundim, duke ju falenderuar dhe vlerësuar për rolin tuaj aktiv gjatë fazës së miratimit të Reformës në Drejtësisë, më lejoni të kërkoj nga ana Juaj qëndrim aktiv edhe gjatë fazës së zbatimit, duke mbajtur nën kontroll veprimet tendencioze të Qeverisë për të ndërhyrë dhe diktuar procesin e vettingut. Mosreagimi i partnerëve ndërkombëtar mbi ndërhyrjen e mazhorancës në organizimin e organeve të vettingut, u përdor nga Kryeministri në seancë plenare si një mbështetje ndaj veprimeve të tij. Për pasojë, çdo mungesë vëmendje apo reagimi nga ana juaj, duke lejuar ndërhyrjen e Qeverisë në procesin e vettingut, në çdo drejtim, do të cënonte rendë jo vetëm rezultatet e procesit, por edhe besimin e qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtar në organet e reja të sistemit të drejtësisë që priten të krijohen nga ky proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK në Elbasan/ Detaje të reja, kontrolle edhe në banesat e dy ish-prokurorëve

Operacioni i SPAK në Elbasan/ Detaje të reja, kontrolle edhe në banesat e dy ish-prokurorëve