Partia Demokratike sot funksionon më shumë me urdhra sesa me rregulla, ndërsa “kryengritja paqësore” e thirrur nga Sali Berisha nuk mund të quhet e tillë nëse në protesta përdoren molotovë dhe prodhohen përplasje të dhunshme, të cilat gjithësesi, janë ta pamjaftueshme për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.  Këto ishin disa nga qëndrimet e mbajtura në “Sot Live në Shqipëri” në Report TV nga ish-kandidati për kreun e PD-së, Ibsen Elezi dhe gazetari Reldar Deda, teksa komentuan protestat e opozitës dhe situatën brenda Partisë Demokratike.

Ibsen Elezi vuri në dyshim retorikën e përdorur nga Sali Berisha për protestat e opozitës, duke argumentuar se termi “kryengritje paqësore” është kontradiktor, sidomos kur në protesta përdoren molotovë dhe prodhohen përplasje të dhunshme. Sipas tij, deklaratat e Berishës krijojnë konfuzion te mbështetësit dhe nuk sjellin zgjidhje politike, pasi pushteti nuk rrëzohet përmes protestave në rrugë, por përmes numrave në Parlament. Ai solli në kujtesë protestat e organizuara më herët nga Lulzim Basha, të cilat sipas tij, megjithëse kishin më shumë pjesëmarrje, nuk prodhuan rezultat politik.

“Duhet të gjejë termin e duhur, edhe kryengritje edhe paqësore nuk shkon. Apo ajo kur thotë që ‘jemi në kilometrin e fundit’ për të rrëzuar Ramën, kjo matet me kohë dhe jo me kilometra. Kilometri i fundit i Berishës mund të dojë 20 vjet. Janë shumë deklarata që i konfuzojnë njerëzit. Kryengritje paqësore me molotovë nuk ka. Nëse përdor molotovë patjetër që do të ketë përplasje të dhunshme. Këto lloj protestash i ka bërë edhe Basha më parë dhe dolën pa rezultat edhe pse kishte më shumë njerëz. Në Shqipëri nuk mund ta rrëzosh pushtetin përmes këtyre mekanizmave. Numrat të duhen në parlament që ta rrëzosh”, tha Elezi.

Nga ana tjetër, gazetari Reldar Deda u shpreh se protestat duhet të mbeten paqësore dhe jo të rrëshqasin drejt ekstremizmit politik. Megjithatë, ai argumentoi se, pavarësisht kritikave, PD mbetet e vetmja forcë opozitare që përballet me mazhorancën duke shfrytëzuar revoltën qytetare. Deda kritikoi edhe qasjen e ndërkombëtarëve ndaj opozitës.

“Sa i përket mënyrës se si po vepron PD-ja nuk mund të kërkosh sjellje tjetër. Nuk ka çfarë jep. Protestat duhet të jenë paqësore. Nuk përfiton asgjë nga ekstremizmi politik. Megjithatë, mirë apo keq, PD është e vetmja që i ka dalë ballë mazhorancës me indin e revoltës qytetare. Ndërkombëtarët duhet të komunikojnë me opozitën pavarësisht non-gratës. Ata nuk duhet t’ua imponojnë liderin demokratëve. Kriza në Shqipëri është shkaktuar nga ndërkombëtarët”, tha Deda.

Sipas Elezit, problemi i Partisë Demokratike nuk lidhet vetëm me protestat, por me mënyrën si funksionon vetë partia. Ai akuzoi Sali Berishën se e ka “bunkerizuar” PD-në me njerëz besnikë, ndërsa zërat kundër janë zhdukur brenda saj.

Sipas tij, në PD ka triumfuar modeli i bindjes ndaj liderit dhe jo ai i rregullit institucional, duke e kthyer partinë në një strukturë që funksionon me urdhra dhe jo me garë apo debat.

“Sali Berisha e ka bunkerizuar PD me njerëzit besnik dhe jo me intelektualë. Ato 500,000 vota + janë të pamjaftueshme. PD duhet të krijojë modelin e kundërt të PS-së. Për ta bërë këtë, është një proces i dhimbshëm dhe kërkon rregull jo urdhra. Që në vitin 2013, mjafton një fjalë e Berishës që të thojë se urdhri i tij është rregulli, ky moment është autokraci. Në PD duhet të prevalojë rregulli. Problemi në PD nuk është Berisha por edhe fakti që ajo parti nuk ka trupa imunitarë që ta kundërshtojnë atë. Ata thonë se modeli i të qenit servil është rezultativ dhe modeli i të kundërshtuarit është vetëvrasje. Ajo parti nuk ka institucione që të mbrojnë rregullin. Berisha i emëron të gjithë”, tha Elezi.

Duke folur për mënyrën si duhet të funksionojë opozita, gazetari Reldar Deda tha se gara në parti duhet të bazohet te rregullat dhe kriteret, ndërsa PD sipas tij duhet të mbetet e hapur.

“Gara duhet të ketë një lloj rregulli dhe disa kritere. Në botëkuptimin tim partia duhet të jetë e hapur ndaj kujtdo”, tha Deda.

Elezi komentoi edhe qasjen e PD-së ndaj Ervin Salianjit, duke thënë se nëse opozita e konsideron atë “të dënuar politik”, atëherë nuk mund ta trajtojë më pas dënimin e tij si penalitet në ambicien për të garuar për kreun e partisë.

“Në momentin që ti e shpall si të dënuar politik, nuk të lind më e drejta t’ia llogarisësh atë masë si penalitet”, tha Elezi.