PD: Eskorta e Metës aksidentoi të 
riun. MB:Gardisti, me makinën e tij

PD: Eskorta e Metës aksidentoi të <br />riun. MB:Gardisti, me makinën e tij
TIRANE – Partia Demokratike denoncoi sot fshehjen e një aksidenti me pasojë vdekjen e një këmbësori, që sipas saj është kryer nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, dhe është fshehur.

Zëdhënësja e partisë Demokratike laura Vorpsi, në një deklaratë për mediat nga selia blu tha se Meta u përpoq ta mbyllë ngjarjen me policinë dhe familjen e të ndjerit.

Oficeri i Gardës së Republikës në momentin e aksidentit nuk ka qenë me shërbim, dhe se ndërsa deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes, 43-vjeçari është pezulluar nga detyra. Është ky reagimi zyrtar i Ministrisë të Punëve të Brendshme, ku saktësohet se në aksidentimin e kalimtarit, nuk është përfshirë eskorta e Kryetarit të Kuvendit por makina personale e tij. Ndërkaq, edhe burime nga Kuvendi sqaruan për A1 REPORT se në aksident është përfshirë makina personale e shoqëruesit të kryeparlamentarit Meta

Policia e Durrësit e ka bërë të ditur aksidentin po atë ditë që ndodhi përmes një njoftimi zyrtar. Madje shoferi është arrestuar në flagrancë për aksidentimin e 19-vjeçarit.

Njoftimi i Plote i Minsitrisë së Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se eskorta e Kryetarit të Kuvendit nuk është përfshirë në asnjë aksident rrugor.
Deklarata e PD-së për fshehjen e një aksidenti është tërërisht e pavërtetë.  
Në komunikatën e përditshme të Policisë së Qarkut Durrës, (dt.07.07.2014, faqja 3, me numër rendor të ngjarjes 17, publikuar dhe shpërndarë për gjithë mediat), është përfshirë arrestimi i shtetasit K. B., pasi ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin M.L., 19 vjeç, banues në Maminas. 
Prokurori pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Ilir Turja, ka drejtuar dhe ndjekur gjithë veprimet proceduriale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e aksidentit.  
MPB sqaron se shtetasi K. B, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim.
Shtetasi K.B. ishte duke udhëtuar me automjetin e tij personal me targa AA 067 JP dhe nuk ka qenë në ushtrim të funksioneve të tij.
Me marrjen e njoftimit për arrestimin në flagrancë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” neni 290 pika 2 i Kodit Penal, shtetasi K. B. është pezulluar nga detyra si oficer i Gardës së Republikës, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. 


Njoftimi i Policisë së Durrësit (7 Korrik)
Më datë 07.07.2014, ora 04.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kastriot Braho, 43 vjec, banues në Tiranë, pasi më datë 06.07.2014, rreth orës 21.45, në aksin rrugor Maminas-Manëz, në vendin e quajtur Bilalas, duke drejtuar mjetin Benz me targa AA 067 JP ka aksidentuar me pasojë vdekje këmbësorin M.L., 19 vjec, banues në Maminas. Materialet iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprën penale të ”Shkeljes se rregullave të qarkullimit rrugor”.
 
Deklarata e Plote e zëdhënëses të PD-së Laura Vorpsi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy netë më parë rreth orës 22.00 në fshatin Bilalas të Bashkisë Manëz, kur eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka përplasur për vdekje Marsel Lohjan, 19 vjeç, të cilit iu dha dje pasdite lamtumira e fundit.

Ky aksident vdekjeprurës, u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshehë ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës.
Asnjë media nuk raportoi lajmin. Akush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje.

Përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithcka.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje.

Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes, dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi. Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19 vjecari nuk është raportuar.
Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19 vjeçari.

Jeta e Marselit, jeta e cdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe Kryetari i Kuvendit.

PD: Reagimi i Ministrisë, sërish fshehje e ngjarjes
Pas reagimit të Ministrisë së Brendshme, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi përmes një deklarate për shtyp shtron 3 pyetje në lidhje me mbulimin e aksidentit të eskortës së Kryetarit të Kuvendit, që solli vdekjen e 19 vjeçarit

 “Reagimi i Ministrisë së Brendshme pas denoncimit të Partisë Demokratike, për fshehjen e krimit, konfirmoi edhe një herë përpjekjen që është bërë për të mbuluar lajmin e aksidentimit për vdekje të 19 vjeçarit nga eskorta e Ilir Metës.

Reagimi i Ministrisë së Brendshme nuk i jep asnjë përgjigje shqetësimit tashmë mbarëpublik për mosraportimin e ngjarjes së rëndë.

Së pari, përse Ministria e Brendshme nuk e ka raportuar ngjarjen kur ajo ka ndodhur, dhe e bën të ditur vetëm pas denoncimit të Partisë Demokratike?

Së dyti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit paska qenë duke qarkulluar privatisht në një segment që të çon e të sjell nga Gjiri i Lalëzit, një itinerar i bërë shpesh nga Meta?

Së treti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit ka qenë duke lëvizur privatisht ditën kur Meta ka qenë në plazhin e Lalzit dhe është parë gjatë gjithë kohës atje nga dëshmitarë okularë?

Ngjarja e dy netëve më parë dhe fshehja e lajmit janë sjellje kriminale. Reagimi i sotëm i Ministrisë së Brendshme synon sërish fshehjen e ngjarjes. Ky reagim është gjithashtu kriminal.”


Redaksia Online
(Gre.M/a.h/Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë