PD frikë nga Byroja e Hetimit
plan për përmbysjen e draftit 

PD frikë nga Byroja e Hetimit<br />plan për përmbysjen e draftit 
Teksa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë miratimin me urgjencë, brenda muajit korrik, të 7 projektligjeve prioritare, Partia Demokratike po përgatitet për rezistencë, për të bllokuar implementimin e Reformës në Drejtësi. Ndonëse e trumbetoi si fitore miratimin me unanimitetet të projektit kushtetues, opozita pritet të kontestojë një prej projektligjeve më të rëndësishme për zbatimin e reformës. Shqiptarja.com ka mësuar se, partia më e madhe në opozitë do të kontestojë projektligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ku është parashikuar pikërisht ngritja dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas burimeve, ekspertët e Partisë Demokratike janë udhëzuar për t’i bërë një oponencë të fortë projektligjit në fjalë, sidomos kapitullit për Byronë Kombëtare të Hetimit, duke demostruar kësisoj shenja frike nga superstruktura hetimore, e cila do të godasë krimin dhe korrupsionin elitar në Shqipëri.

Ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e një drafti paralel, sikundër operuan me projektin kushtetues, Sali Berisha dhe Lulzim Basha synojnë përmbysjen e disa neneve të rëndësishme të kapitullit për Byronë e Hetimit. Paraprakisht mësohet se opozita do të kërkojë qartësimin e rolit të policisë gjyqësore si dhe rishikimin e kompetencave të Byrosë, në lidhje me kontrollet e befasishme, vëzhgimet dhe arrestimet. Po ashtu, opozita ka rezerva sa i takon parashikimit që Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave do të mbikëqyrë llogaritë financiare të hetuesve të Byrosë së Hetimit, kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve dhe personelit të Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuesit të Prokurorisë, prokurorëve dhe personelit të Prokurorisë së Posaçme etj.

Alibia
Bojkoti i mbledhjeve të fundit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ku u miratuan projektligjet për zbatimin e Reformës në Drejtësi, mund të përdoret si alibi nga opozita për të rishikuar draftet prioritare, me qëllim për të dhënë “kontributin” e saj në përmbajtjen e nismave. Dhe sinjalin e parë e ka dhënë para disa ditësh, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i cili deklaroi se nuk kishte kuptim miratimi i ligjeve pa miratuar në Parlament paketën kushtetuese. “Deklarata e Bashës e jep qartë pasojën e veprimit të njëanshëm. A ka kuptim të bësh ligje zbatuese të një pakete kushtetuese të pambyllur?”, ka theksuar Bylykbashi. Ndërkaq, Sali Berisha, i pyetur nëse PD do të japë konsensusin për 7 projektligjet, nuk dha një përgjigje të qartë.

Konflikti në horizont
Pas miratimit të projektit kushtetues, Partia Demokratike nuk ka mbajtur asnjë qëndrim të qartë për fatin e 7 projektligjeve prioritare, duke u mjaftuar me shtyrjen e akteve për sesionin e ardhshëm parlamentar. Por, heshtja përballë kërkesës së ndërkombëtarëve për miratimin brenda datës 28 korrik, nuk e përjashton mundësinë e një konflikti të ri mes opozitës dhe SHBA-BE, në fillim të muajt shtator. Siç dihet, projektligjet mbajnë vulën e ekspertëve të misioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj çdo rezistencë për bllokimin e tyre, do të hapte një front të ri lufte me Perëndimin.
 
Redaksai online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri