/ATSH-Gjergji Mima/ -Partia Demokratike ftoi sot mazhorancën të nënshkruajë paktin për largimin e të inkriminuarve nga listat e kandidatëve

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, u shpreh se, "prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës ?nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale".

Prej dy javësh mazhoranca e ka lënë në heshtje dhe pa përgjigje këtë propozim të Partisë Demokratike, tha Bylykbashi, duke zbardhur pikat e këtij propozimi. "Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti që do mundësojë: Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë; Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale; Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre. Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë", tha Bylykbashi.

"Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit  Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij", theksoi Bylykbashi.