TIRANE- Partia Demokratike kërcënoi dje sërish me bojkot të Kuvendit duke theksuar se tani puna e opozitës janë protestat. Lulzim Basha në fjalën e tij para deputetëve të PD-së theksoi se shkarkimi i Zana Xhukës është një atentat ndaj ligjit dhe kushtetutës dhe për këtë, partia që ai drejton do të marrë nën shqyrtim mundësinë e bojkotit të punimeve parlamentare dhe për ta përqëndruar të gjithë aktivitetin e opozitës në tubime. “Protesta e të enjtes e ka caktuar fatin e saj. Ajo nuk do të ndalet. Shqipëria në protestë është puna jonë si opozitë, puna e gjithë njerëzve të lirë të këtij vendi.

Me ngjarjet e fundit në Kuvend, ku ligji dhe Kushtetuta u ekzekutuan përsëri me urdhrin politik të Ramës dhe Metës, ne do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë. Ne nuk do të pranojmë t’i japim legjitimitet Parlamentit të një shumice që ka zgjedhur të bëhet gijotina e ligjit dhe Kushtetutës”,- tha Basha.

Në vijim të fjalës së tij, Basha i urdhëroi deputetët e PD-së që të fillojnë takimet me bazën e partisë duke lënë të kuptohet se aktiviteti parlamentar do të kaloi në plan të dytë dhe se intensifikimi për të organizuar një protestë tjetër do të jetë më kryesorja për opozitën. “Kjo, të nderuar deputetë, le të jetë java e intensifikimit të kontakteve të secilit prej jush me zgjedhësit tanë, me qytetarët anembanë vendit”,- theksoi Basha. Ky riorganizim i PD-së do të bëhet së bashku me një nga aleatët e demokratëve, PR, pasi në mbledhjen e grupit të ditës së djeshme ishte i pranishëm edhe Fatmir Mediu. Kësisoj, mesa duket opozita është tkurrur nga ana e partive politike pasi vetëm Mediu po i qëndron besnik Bashës.

Berisha
Ndryshe nga të gjitha mbledhjet e mëparshme të Partisë Demokratike që nga koha kur në krye të PD-së është vënë Lulzim Basha, ish-kryetari i demokratëve, Sali Berisha, kërkoi nga deputetët që të mbajnë një minutë heshtje për viktimat e protestave në Ukrainë. Kërkesa e Berishës as nuk u vu në diskutim nga ana e deputetëve dhe të gjithë u ngritën në këmbë për të mbajtur një minutshin e heshtjes. Por kjo kërkesë e Berishës bie në kontradiktë me atë vetë pasi protestuesit e vrarë në tubimin e ish-opozitës socialiste në 21 janar të vitit 2011 ai i cilësoi ata si “puçista”, ndërsa protestuesit ukrainas si martir të demokracisë.

Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)