TIRANE- Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, kur u diskutua për shkarkimin e Zana Xhukës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka theksuar që kjo procedurë të bëhet, por jo duke shkelur kompetencat e Presidentit të Republikës. Në procesverbalin e mbledhjes është theksuar nga ana e Palokës, se nëse mazhoranca kërkon të shkarkojë Zana Xhukën, të bëhet nëpërmjet rrugëve të tjera dhe jo duke shkelur kompetencat e presidentit, pra që të mos votohej kandidatura e Shkëlqim Ganajt për postin e kreut të ILDKP-së.

“Nëse doni ta shkarkoni Zana Xhukën kjo është çështje e juaja, ne ju kërkojmë të zbatoni kushtetutshmërinë e këtij vendi, sepse përndryshe ky parlament nuk ka asnjë arsye pse të ekzistojë. Pra edhe një herë, jemi këtu të gjithë, vetëm për t’ju kërkuar këtë. Nuk do të shkojmë në asnjë diskutim tjetër në qoftë se nuk shohim një vullnet që sigurisht, unë e kam me dyshim, po nëse nuk shihet vullneti për ta kthyer këtë proces antikushtetues, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në Konferencë Kryetarësh”,- ka thënë Paloka në mbledhjen e datës 25 shkurt të Konferencës së Kryetarëve, 5 ditë pasi Kuvendi kishte miratuar shkarkimin e Xhukës nga posti i Kryeinspektores së ILDKP-së.

Por nga kjo deklaratë e Palokës, duket se i gjithë meraku i Partisë Demokratike ka qenë emërimi i Shkëlqim Ganajt në këtë post, pasi nga deklarata e Palokës duket qartë se shkarkimi i Xhukës edhe mund të bëhet, por emërimi i Ganajt jo.

Pas kësaj deklarate, Paloka është larguar nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku do të vendosej për kalendarin tri javorë të punimeve në Kuvend. Pas largimit të Palokës, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka cilësuar si shkelje të kompetencave të presidentit votimin e vitit 2013, kur në krye të ILDKP-së është emëruar Zana Xhuka dhe nuk është votuar kandidatura tjetër Shkëlqim Ganaj. Sipas tij, ILDKP është institucion që varet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe për këtë, ky institucion mund të marrë çfarëdo lloj vendimi.

Veç kësaj, Meta ka theksuar se, ai si Kryetar Kuvendi është treguar shumë tolerant ndaj PD-së në hapësirat që i ka dhënë. “Çështjen që ngriti grupi parlamentar i Partisë Demokratike, më vjen keq se ata që në fillim kanë ardhur në parlament me idenë edhe të vijnë edhe të ikin, pavarësisht se unë bashkë me ju, kemi bërë maksimumin për të treguar tolerancë dhe përfshirje, duke i dhënë gjithë hapësirat për t’u shprehur, e kështu në vijim.

Për çështjen në fjalë, unë duhet të them që kjo nuk është një çështje e re, është një çështje e vjetër , është një çështje e krijuar që në momentin që është bërë votimi në parlament. Në fakt, nuk është respektuar por është cenuar edhe vetë dekreti i Presidentit të Republikës, përpara një viti, ku dhe rregullorja nuk është zbatuar, ku dhe kontestimet kanë qenë të rëndësishme.

Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)