TIRANË – Partia Demokratike ka denoncuar me emra konkretë sot, nepotizimin në shëndetësi, duke marrë shembull emërimin e dy bashkëshortëve në Tropojë.

Sipas zëdhënëses Laura Vorpsi nga foltorja e PD-së, Drejtori i Shëndetit Publik të këtij rrethi, Kongres Imeraj,  i caktuar nga “Rilindja”, vetëm dy ditë pasi ka marrë detyrën, ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij.

Gruaja e drejtorit është infermiere dhe pa shkollën e lartë. Meqënëse shkelja ishte e madhe dhe nepotizmi edhe më i madh, drejtori e emëroi më pas gruan e tij shefe të higjienës në rrethin e Tropojës,”- nënvizoi Vorpsi.

Pas këtij rasti, zëdhënësja  demokrate ka  risjellë në kujtesë të qytetarëve edhe një emërim tjetër në Krujë.

“Pak vite më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” zbuloi rastin e një mjeku në Krujë, i cili i dërgonte pacientët për të bërë analiza dhe eko në klinikën e tij private që drejtohej nga bashkëshortja.

Mjeku Durim Herri u akuzua për shpërdorim detyre dhe u pezullua për 9 muaj, si masë administrative. Sot ky mjek është bërë drejtor i Spitalit të Krujës,”- nënvizoi ajo, duke shtuar se
“ky është vizioni i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është modeli i tij i ofrimit të këtij shërbimi.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)