Ndërsa kryeministri Edi Rama mbante konferencën e fundvitit, Partia Demokratike përmes Gazment Bardhit i kërkoi sërish Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve për t’i çelur rrugën, arrestimit të zvkryeministres Belinda Balluku.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratikei tha se mazhoranca është vënë në funksion të kërkesave të numrit 2 të qeverisë e cila kërkon më shumë kohë, duke injoruar kështu apelin e SPAK se Balluku po prish provat dhe intimidon dëshmitarët. PD ndërkohë do të kërkojë sërish mbledhjen e Këshillit të mandateve më 6 janar në orën 11.00.
“Prej dy javësh jemi në kërkim të pesë anëtarëve të mazhorancës në këtë këshill që janë fshehur dhe I ikin përgjegjësisë së tyre për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë që është e ngutshme sepse e pandehura po intimidon dëshmitarët dhe po prish provat. Sot janë mbushur dy javë që nga koha kur prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut.Mesa duket pasi kthyen zyrën e kryeministrit në zyrë avokatie, po kthejnë edhe zyrat e kuvendit në zyra avokatie. Sigurisht që të pesë anëtarët e opozitës nuk do të lodhen dhe dorëzohen. Apeli im sot shkon për kryetarin e Kuvendit që most ë pengojë drejtësinë dhe të njoftojë të pandehurën dhe SPAK që të shqyrtojmë kërkesën dhe ti japim prokurorisë autorizimin për të vepruar në përputhje me Kushtetutën. Akti I mazhorancës është I paprecedentë.Nuk ka ndodhur kurrë që të vonohet shqyrtimi I kërkesës dy javë me pretendimin absurd se e pandehura ka kërkuar tre javë për tu mbrojtur. E pandehura mund të kërkojë edhe 3 muaj ose edhe 3 vjet sepse po kërkohet dënimi I saj me burg dhe ajo po tenton ta zvarrisë këtë proces sa të mundet. Sic e dini prokuroria ka kërkuar shqyrtimin brenda 3-5 ditëve nga momenti I mbërritjes së kërkesës. Sot bëhen dy javë dhe ne ende nuk kemi as dëgjimin e prokurorisë për kerkesën e sjellë në kuvend. Ne do të rithërrasim mbledhjen e këshillit fiks në ditën kur bëhën tre javë që kur ka ardhur kërkesa në kuvend, në 6 janar ora 11", tha Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Socialistët e kanë bërë të qartë se nuk do të vijojnë procedurën e heqjes së imunitetit të Balluku, deri me 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim për çështjen e masës së sigurisë së pezullimit të saj nga detyra. Megjithatë, anëtarët e opozitës në këtë Këshill vazhdojnë të mblidhen në mënyrë të njëanshme duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se duke refuzuar thirrjen e mbledhjes po shkel Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Demokratët e shohin sjelljen e socialistëve si një akt të rëndë të pengimit të drejtësisë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve, socialistët kërkuan kohë deri në fund të janarit për tu njohur me provat ndaj Belinda Ballukut, pavarësisht kërkesës së SPAK për njohje me provat në harkun kohor të 5 ditëve.
SPAK e ka marrë të pandehur Ballukun për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Komente










