TIRANË – Partia Demokratike ka kërkuar sot zgjerimin e objektit të hetimit të komisionit parlamentar për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve hetimin e rritjes së trafikut të drogës, veç verifikimit të akuzave për përfshirjen e ushtrisë në këtë trafik.

"Siç jeni në dijeni, pas një heshtje të gjatë dhe të pajustifikuar si dhe pas kundërshtimit të ministres Kodheli për t’ju përgjigjur deputetëve në Komisionin e Sigurisë, Rama ka kërkuar papritur ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar mbi çështjen aq shumë të përfolur kohët e fundit për trafikun e drogës. Në fakt, komisioni që kërkon të ngrejë Rama, është një komision që synon jo hetimin, por mbulimin e çështjes. Me komisionin Rama nuk kërkohet të hetohet trafiku i drogës, por ai kërkon të hetojë opozitën dhe kush e ka nxjerrë informacionin për këtë çështje. Kohët e fundit Shqipëria është vënë në shënjestër të institucioneve ndërkombëtare por edhe të shteteve fqinjë të cilët akuzojnë hapur se për fat të keq vendi ynë është kthyer në autostradën e trafikut të drogës. Siç jeni në dijeni, kohët e fundit në vendet fqinje nuk po kapet më vetëm kanabis nga Shqipëria, por edhe drogë e fortë si heroinë apo kokainë. Për këto arsye, në këto kushte, ne kërkojmë:

Në pikë 1 të kërkesës ne kërkojmë këtë ndryshim; ngritjen e komisionit hetimor me kërkesë të një grupi deputetësh për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura nga narkotrafikantët. Pika dy; objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i të dhënave për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura nga narkotrafikantët. Roli i funksionarëve publik dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve në vijim të informacioneve zyrtare të përcjella nga strukturat përgjegjëse. Si dhe pika 3, që ka të bëjë me administrimin dhe me ngritjen e komisionit”, tha Paloka.

Ai u shpreh se opozita do të jetë pjesë e këtij Komisioni Hetimor.

“Qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje u bë i qartë nga Kryetari i Partisë Demokratike z. Basha i cili tha se ne do ti shkojmë deri në fund transparencës së kësaj çështje. Dhe kjo, për ata që e kanë keqkuptuar, nuk do të thotë që ne nuk do të marrim pjesë në Komisionin Hetimor por përkundrazi do të thotë që ne jo vetëm do të marrim pjesë në të por do ti shkojmë deri në fund me të gjitha format e hetimit, për të siguruar transparencë për trafikun e drogës në Shqipëri”, përfundoi deklaratën e tij nga kryesia e Kuvendit, deputeti demokrat Edi Paloka.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)