Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari. Deputeti demokrat Klevis Balliu tha se inkriminimi i krimit në radhët e uniformave blu nuk është akuzë politike, duke shtuar se kjo cenon sigurinë kombëtare. Balliu solli rastin e Oltion Bistrit apo Henrigert Mitri, ish-efektivë të përfshirë në trafik droge, apo të agjentit të AMP-së që ishte në makinë me Gilmando Danin në momentin e atentatit mafioz në Rinas. Balliu tha se inkriminimi i policisë së shtetit është politikë e kësaj qeverie.

“Inkriminimi i policisë nuk është akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Këtu nuk cenohet vetëm një institucion, por siguria e çdo qytetari dhe siguria kombëtare. Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 thekson se: “Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit vazhdon të jetë thellësisht e ekspozuar ndaj korrupsionit. Procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë (“vetingu policor"), si dhe procesi i verifikimit të integritetit kanë vijuar, por ndikimi i tyre mbetet i kufizuar.

Gjithashtu janë bërë më të dukshme rastet e intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë raste ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë apo punonjës policie, veçanërisht ndaj gazetarëve investigativë dhe grave gazetare.

Keni rastin e Oltion Bistrit, po Henrigert Mitri, tregojnë qartë se si individë në nivel të larta të policisë tregojnë që jo vetëm janë përfshirë në trafik droge, kanë lehtësuar aktet kriminale të organizatave, siç është rasti me Pëllumb Gjokën. Këta kriminelë dhe këta individë bashkë me shumë aktorë të tjerë p. Gilmando Dani, një segment i lartë i krimit të organizuar, krah tij ishte një oficer i AMP-së, ishte vetë në makinë me Gilmando Danin. Nuk është vetëm kjo që tregon implikimin. E pamundur të bëhet atentat në aeroport, ku mbrohet nga siguria më e madhe e vendit, policia, ushtria, çdo herë ke siguri vetëm ditën e atentatit jo. Inkriminimi i policisë së shtetit është politikë e kësaj qeveri dhe garancia e kësaj qeverie me krimin për të vazhduar para bizneset e tyre. Është kjo qeveri që sot nuk i jep dot siguri jete asnjë qytetari shqiptar”, tha Balliu.

Akuzat u hodhën poshtë nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili tha se Policia e Shtetit nuk ka pse të bëhet pjesë e narrativave politike dhe e baltës.

Ministri nënvizoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe se progresi kundër krimit e korrupsionit ka qenë i qëndrueshëm. Lamallari tha se kemi një ulje të vrasjeve me 50%.

“Policia e Shtetit është organizatë me burra gra, djem e vajza, që përballen me punë të vështirë, në front me krimin dhe paligjshmërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm kur përdorim politikën e baltës ndaj një organizate të shtetit shqiptar. Nuk do të thotë që probleme s’ka, ka, ka raste të shkeljeve, ka individë që kanë shkelur uniforma e policisë, por dallimi mes një shteti të dobët dhe të fortë qëndron këtu, ai fsheh ai problemet dhe a i adreson me masa konkrete. Do bëj një citim të kujdesshëm të raporteve ndërkombëtare.

Një e dhënë interesante vjen nga siguria publike, kemi 50% ulje të vrasjeve, krim tejet shqetësues. Lidhur me bashkësinë ndërkombëtar, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht nga raportet ndërkombëtare, por dua të theksoj faktin se kemi 38% skuadra më shumë të hetimeve të përbashkëta dhe këto janë bërë të mundura fale operacione me EUROPOL.

Policia e Shtetit s’ka pse të bëhet pjesë e narrativave politike, ka detyrim ligjor t’i shërbej vendit dhe qytetarëve e pandikuar nga akuzat dhe balta që përfshin këdo, të madh e të vogël, e pamë ditën e djeshme me zgjedhjen e drejtorit të ri të policisë së shtetit”, tha Lamallari.

Në përgjigje, Balliu tha se Policia e Shtetit dekonspiron operacionet dhe ka 270 masa arresti të paaekzekutuara.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ PD: Krimi i infiltruar në polici! Lamallari: Baltosja politike e policisë cenon sigurinë kombëtare, vrasjet u ulën me 50%