Përpos Reformës në Drejtësi, një konflikt i ri politik, pritet të përfshijë politikën e Tiranës, në javët në vijim. Bëhet fjalë për Reformën Zgjedhore, për të cilën palët ndajnë qëndrime thellësisht të kundërta dhe të papajtueshme. Mazhoranca kërkon reflektimin me përpikmëri të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, në draftin përfundimtar për Reformën Zgjedhore, ndërsa Partia Demokratike ka shpallur 12 kushte, shumica e të cilave, devijojnë nga propozimet e dy misioneve ndërkombëtare.

Kushtet e Partisë Demokratike reflektojnë paranojën, mosbesimin e thellë dhe pasigurinë për zgjedhjet e 2017, ndërsa pala tjetër këmbëngul vetëm në zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Në të njëjtën kohë, opozita e ka shpallur Reformën Zgjedhore, si prioritet kryesor, madje mbi Reformën në Drejtësi, duke sinjalizuar se kushtet e saj janë të panegociueshme.