PD: Leskaj apartamente dhuratë
Yllit, Valentina: Ju padis për shpifje

TIRANË – Partia Demokratike ka akuzuar deputetin socialist Fidel Ylli për sipërmarrje të dyshimta me deputeten Valentina Leskaj, në këmbim të apartameve dhe njëkohësisht, kryesocialistin Rama që e sheh Yllin si shembëlltyrën e tij,tek fsheh pasurinë. Ndërkohë, përmes një deklarate për mediat, deputetja socialiste, Valentina Leskaj, ka përgënjeshtruar këto akuza ndërsa thekson se po përgatit një padi në Gjykatë, ndaj Bogdanit për shpifje ndaj saj.
 
BOGDANI: CFARE E LIDH  RAMEN ME YLLIN PERVEC FSHEHJES SE PASURISE?
Deputeti demokrat Gerti Bogdani deklaroi sot se "ka mbi një muaj që z. Rama deklaron në media kandidatët që e kanë kapur; e kanë kapur me para, e kanë kapur me afera, e kanë kapur me dosje penale, e kanë kapur me shërbime politike; ka mbi një muaj që z. Rama i prezanton shqiptarëve fytyrën që nuk duhet të ketë grupi parlamentar i PS-së, por që do ta ketë se Rama është i kapur.  Me të njëjtën formë ai i ka dhuruar Kuvendit që është sot, “Rilindas” me emër në biznesin e pisët dhe në lidhje me krimin".

"Nuk duhet shumë të gërmosh për të ilustruar faktet", - tha Bogdani. -"Këtë periudhë Kuvendi ka qenë në procedurë shqyrtimi për deputetin Fidel Ylli dhe shumë shpejt kanë dalë në dritë, skemat që Fideli i partisë ka përdorur për të anashkaluar ligjin, për të kamufluar bizneset, pse jo për të pastruar para.  Përpara se z. Rama dhe z. Fidel t’u kërkojnë votat shqiptarëve do ishte mirë të sqaronin p.sh:

Çfarë domethënie ligjore kanë kontratat e shumta me të cilat Fidel Ylli ka “dhuruar” aksione në kompanitë e përbashkëta me deputeten Valentina Leskaj dhe ka marrë “dhuratë” apartamente pa fund nga deputetja, përveç se për të mos paguar taksat ndaj shtetit? Çfarë domethënie ligjore ka mosdeklarimi i kompanisë “Trustee investment group” në deklaratën vjetore të vitit 2009, përveçse fshehje pasurie? Çfarë domethënie ligjore ka aktiviteti i kësaj kompanie vetëm me blerje pasurish të paluajtshme në shuma të mëdha, pa prodhuar asgje, pa ndërtuar asgjë, pa shitur asgjë, përveçse ngritje në këmbë të mekanizmit të pastrimit të parave? Çfarë domethënie ligjore ka dalja nga kompania në fjalë dhe rifutja e saj në harkun e dy viteve, kur vlera aktiveve të shoqërisë është rritur me shumëfish përveçse, qëllimit për tu pasuruar në mënyrë ilegale?"

"Së fundi, nëse praktika e “biznesit” të rilindësit Fidel të z. Rama është vetëm ajo e fshehjes së pasurive, mos deklarimit të tyre, mos pagimit të taksave dhe e pastrimit të parave, atëherë mandatin e deputetit, Rama e Fideli i tij, mos vallë e duan që të legjitimojnë “ biznesin e pisët” dhe pisllëkun ta kthejnë në ligj? Mos vallë Rama e do deputetin Fidel, si shëmbëlltyra e tij, se fsheh pasurinë si e fsheh Rama, se pasurohet si pasurohet Rama. Ramën e Fidelin nuk i bashkon ideali. I bashkojnë lejet e ndërtimit dhe biznesi i pisët me to. Kjo nuk është rilindje, kjo është përçudnim", - përfundoi Bogdani.

LESKAJ: PERPIQEN TE BEJNE PIS TE GJITHE, POR S'KANE SHANS ME MUA

Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, ka përgënjeshtruar pas akuzave të deputetit demokrat Gerti Bogdani, se Fidel Ylli ka marrë dhurata dhe apartamente nga Leskaj për të mos paguar taksa në shtetin shqiptar. Deputetja socialiste thekson se po përgatit një padi në Gjykatë, ndaj Bogdanit për shpifje ndaj saj.

Përmes një deklarate për mediat, deputetja Leskaj shkruan: “Në respekt të opinionit publik, dua të sqaroj se i vetmi apartament që unë kam në pronësi, është një apartament modest 119 metra katror ku jetoj me bashkëshortin tim. Si mund të kem falur një gjë që nuk e kam?”

Në përfundim të deklaratës, Leskaj sqaron opinionin publik se “personalisht jam taksa paguese shumë e rregullt, deri në detaje dhe një gjë që nuk e bëj vetë s'kam si tua mundësoj të tjerëve. Ata që përpiqen t’i bëjnë pis të gjithë nuk e kanë këtë shans me mua”.

Redaksia online
(ar.sh/Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Ardian Vehbiu: Histeria ndaj kryepeshkopit Anastas

Ardian Vehbiu: Histeria ndaj kryepeshkopit Anastas