PD:Makina e gazetarit digjet për
presion,Doçi e policia:Defekt teknik 

PD:Makina e gazetarit digjet për<br />presion,Doçi e policia:Defekt teknik 
TIRANË - Partia Demokratike denoncoi sot djegien e makinës së gazetarit të “TV Mati”, Enver Doçi duke fajësuar për këtë akt dy drejtuesit e mazhorancës aktuale Rama­-Meta. Sipas Kreshnik Çollakut, kjo është shenjë e panikut të humbjes në zgjedhje që po demonstron mazhoranca. 

Por këto deklarata janë mohuar si nga policia, po ashtu edhe nga vetë gazetari Doçi.

Policia sqaron se pas veprimeve të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se zjarri është shkaktuar për shkak të një defekti në baterinë dhe sistemin elektrik të mjetit, ku për rrjedhojë është dëmtuar pjesërisht sistemi elektrik i mjetit.

Ndërkohë vetë gazetari Enver Doçi i hedh poshtë edhe pretendimin e Çollakut duke shtuar se nuk ka pasur më herët asnjë kërcënim apo episod që mund ta lidhë me zjarrin në automjet.
 
Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen
Lidhur me djegien e makinës se gazetarit  Enver Doçi, Policia e Shtetit sqaron se:
 
Më datë 04.06.2015, rreth orës 02:00, në fshatin Karicë, komuna Bazë, rrethi Mat, në oborrin e banesës së dajës së shtetasit Enver Doçi, ka marrë flakë tek pjesa e baterisë dhe impjantit elektrik,  mjeti tip "Benz", me targë AA 169 JF, në pronësi të shtetasit Enver Doçi, me profesion gazetar.
 
Pas veprimeve të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se zjarri është shkaktuar  për shkak  të një defekti  në baterinë dhe sistemin elektrik të mjetit, ku për rrjedhojë është dëmtuar pjesërisht sistemi elektrik i mjetit.
 
Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme si "Ngjarje Aksidentale".

Deklarata e plotë e Kreshnik Çollakut
Braktisja që po u bëjnë qytetarët çdo ditë ka vënë në panik të madh dyshen Rama-Meta të cilët po përdorin çdo formë që nga joshja me thasët me miell e deri tek presioni i bandave dhe policia e pushtetit.

Mëngjesin e sotëm është djegur dhe shkatërruar makina e gazetarit dhe operatorit të Tv Mat Enver Doçi.

Gazetari Doçi ka ndjekur dhe pasqyruar me realizëm e profesionalizëm fushatën e kandidatit të Partisë Demokratike Nezir Rizvani. Gazetari Doçi pohon se akti i sotëm është në vazhdën e presioneve dhe kërcënimeve për shkak të detyrës që ai kryen nga përfaqësues të mazhorancës.

Dy ditë më parë në drejtim të policisë kriminale të drejtorisë së policisë Mat emërohet jo rastësisht bashkëshorti i njërës prej kandidatëve të Edi Ramës në këtë rreth.
Drejtuesit e mazhorancës detyrojnë drejtorë të administratës të jenë jo vetëm pjesë e takimeve elektorale gjatë orarit të punës por edhe të ushtrojnë presion për votën mbi punonjësit e tyre e t’u mbledhin dokumentet e identifikimit atyre.

Një punonjës i thjeshtë i OSHE­së Besim Lika u pushua nga puna vetëm pse mori pjesë në një takim elektoral të kandidatit të Partisë Demokratike i mbajtur në orën 19:00 jashtë orarit të punës ndërsa nga ana tjetër të gjitha asetet dhe fondet publike në shkelje të nenit 3 të Kodit Zgjedhor janë vënë në funksion të fushatës së kandidates së mazhorancës përfshi dhe ambientet e shkollave, mësuesit dhe nxënësit.

Në foto shihni një ftesë për takim elektoral të kandidates së mazhorancës . Vendtakimi është ambienti i një shkolle të mesme në ditë jave orar mësimi.

Praktikën e shëmtuar të blerjes së votave për një thes miell apo për 20 e 30 mijë lekë po mundohen ta përdorin dëshpërimisht edhe sot. Në foto shihni një ndër dhjetëra militantë të kandidates së mazhorancës duke ofruar thasë mielli në këmbim të votave. Foto është marrë në Xibër më 28 maj 2015 në orën 13:00.

Aq shumë i ka zënë paniku nga refuzimi me votë i keqqeverisjes së tyre sa kanë arritur deri aty sa të shpallin në kërkim Enrik Gjonin djalin 25 vjeç me akuzën qesharake pse vendosi nëpër shtylla flamujt e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike i bën thirrje misionit vëzhgues të OSBE­ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE­së dhe SHBA­së të monitorojnë nga afër këto shkelje të ligjit dhe cënimin e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal dhe të vërë para ligjit autorët dhe përgjegjësit e krimit te shëmtuar te shitblerjes se votës ne Mat, shkeljes se Kodit zgjedhore dhe terrorit që po ushtrohet ndaj qytetarëve të Matit pas shiut kur bëhen me pushtet…Harrojeni se dalim nga varfëria derisa ju të mos vendosni të ndëshkoni këta politikanë për pasurimin e paligjshëm”.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Rritja e pensioneve, Rama nga Bulqiza: Do rritet fuqia blerëse e më shumë se 700 mijë pensionistëve! Reformën e bëmë ne dhe tregon qartë kush di të qeverisë

Rritja e pensioneve, Rama nga Bulqiza: Do rritet fuqia blerëse e më shumë se 700 mijë pensionistëve! Reformën e bëmë ne dhe tregon qartë kush di të qeverisë