PD ndryshon kurs, në qendër
të akuzave vihet Ilir Meta

PD ndryshon kurs, në qendër<br />të akuzave vihet Ilir Meta
TIRANE- Partia Demokratike ndryshon kursin e akuzave, duke vënë në epiqendër kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Që pas mbarimit të fushatës elektorale, Partia Demokratike kishte mbajtur një qëndrim të butë ndaj LSI-së, qëndrim i cili përfundoi ditën e djeshme, kur deputeti Arben Ristani hodhi një lumë akuzash ndaj kryetarit të Kuvendit. Debati ndërmjet Metës dhe PD-së nisi pas ftesës që Meta i bëri Lulzim Bashës që të ulet në një tavolinë me Edi Ramën për reformën territoriale, në mënyrë që ajo të miratohet me konsensus. Por kjo deklaratë u përdor nga Partia Demokratike për të filluar serialin e akuzave ndaj LSI-së, pasi ky plan kishte ditë që ishte ndërthurur brenda selisë blu.

Konkretisht, Ristani deklaroi se Meta është fajtor po ashtu sa Rama për të larguarit nga puna, refuzimin e statusit kandidat, si edhe për shkeljen e etikës në Kuvend. “Pas toneve dhe thirrjeve kinse të moderuara fshihet Ilir Meta i vërtetë, iniciator dhe garant i sulmeve kundër institucioneve të pavarura, si ILDKP, AMA, SHISH. Përtej fjalëve të dala boje fshihet Ilir Meta i vërtetë, i cili ka interesat e tij klienteliste për kapjen e institucioneve dhe forcimin e pushtetit të tij personal.

Ilir Meta është njësoj bashkëpërgjegjës me Edi Ramën për situatën konfliktuale në vend, për tensionin në Parlament, që shkaktohet nga gurra e pashterur e provokimeve dhe e fyerjeve të Kryeministrit ndaj opozitës, për luftën që mazhoranca i ka hapur çdo institucioni në vend. Ilir Meta është drejtpërdrejt bashkëpërgjegjës për shkeljen e konsensusit me opozitën, është përgjegjës për mijëra të larguar nga puna, për shkak të shtyrjes së ligjit të nëpunësit civil. Ilir Meta e shpallte veten heroin e 3 ligjeve, ndërsa, nga ana tjetër, drejtoi dhe dirigjoi, së bashku me Edi Ramën, terrorin ndaj administratës, ndaj mijëra burrave e grave, të rinjve e të rejave, që u flakën në rrugë padrejtësisht.

Ilir Meta, njësoj si Edi Rama, është përgjegjës për mosdhënien e statusit të vendit kandidat. Në vend që të bëjë babaxhanin sa për sy e faqe në ekran, ne i sugjerojmë kryetarit të Kuvendit të reflektojë thellë për përgjegjësitë e tij dhe ta nisë këtë duke e pajisur kryeministrin e vendit me një palë mbathje për gojën e tij, për të ndaluar epideminë ndotëse që Rama po përhap nga aula e Parlamentit”- deklaroi deputeti Ristani.
Akuzat e PD-së lindën edhe pas debatit që u zhvilluan dy ditë më parë në sallën e Kuvendit ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës.

Oferta e Metës
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Kuvendit Ilir Meta pohoi se Rama dhe Basha duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre për reformën territoriale, duke i ripërsëritur ftesën kreut të PD-së për konsensus. Në kundërpërgjigje akuzës së PD-së për sulmet ndaj Autoritetit të Mediave Audiovizuale, Meta theksoi se është mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke faktuar nismën e Kuvendit për zëvendësimet e vakancës së krijuar në bordin e AMA-s.

“Dua të vlerësoj ftesën që kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama i ka bërë kryetarit të opozitës dhe të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha për t’u takuar dhe për të diskutuar lidhur me përmbushjen e një prej reformave më madhore, prej së cilës vendi dhe qytetarët presin prej gati prej dy dekadash, siç është ajo që ka të bëjë me reformën administrative dhe territoriale. Ligji i mëparshëm trajton anëtarin dhe kryetarin në mënyrë të barabartë, duke kushtëzuar mandatin si kryetar me qenien si anëtar i KKRT-së. Ky vlerësim është i mbështetur edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Në këto kushte, aktualisht tek AMA, vendi i kryetarit është vakant, pa përmendur këtu edhe tre vendet e tjera për anëtar. Unë jam i hapur, si kryetar i Kuvendit, që të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën, sikurse kam bërë edhe deri tani. Por, natyrisht, kjo frymë bashkëpunimi mungon deri tani, për fat të keq, nga lidershipi opozitar, i cili kërkon të kushtëzojë çdo vendim të Parlamentit, të gjithë ecurinë e tij dhe çdo vendim të mazhorancës, sipas qëndrimeve të caktuara politike të vetë opozitës”,- tha Meta.

Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin