PD në qeveri, Basha shkel paktin 
ministrat teknikë fanatikë të PD

PD në qeveri, Basha shkel paktin <br />ministrat teknikë fanatikë të PD
Pakti politik Rama-Basha jetësohet me votë në Parlament. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë bashkuar dje votat për shkarkimin e gjashtë ministrave dhe një zëvendësministri, duke i zëvendësuar me shatë kandidatë të propozuar nga opozita.

Votimi i pazakontë ka zyrtarizuar kësisoj përfshirjen e Partisë Demokratike në qeverinë ‘Rama”.

Kjo seancë shënoi edhe rikthimin e Partisë Demokratike në Kuvend pas më shumë se tre muaj bojkot. Pas ngujimit 90-ditor para Kryeministrisë, kryeministri Rama u detyrua të fuste PD në çadrën e qeverisë, me qëllim për ta futur në zgjedhjet parlamentare.

Ministrat politikë  
Nuk ka një qeveri gjysmë teknike. Por ka një qeveri të mirëfilltë politike, e dominuar nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Tre ditë pas zyrtarizimit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shkelur marrëveshjen politike me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa pakti parashikonte propozimin e gjashtë ministrave teknikë nga Partia Demokratike, Lulzim Basha, ndoshta me miratimin e Sali Berishës, propozoi gjashtë ministra të mirëfilltë politikë, madje tre prej tyre militantë fanatikë. Kur pritej që opozita të propozonte disa kandidatë të zhveshur politikisht, për të mundësuar zbatimin e paktit, befas ka ndodhur e kundërta, pasi Lulzim Basha propozoi gjashtë besnikë partie, duke hyrë kësisoj në qeveri. Për herë të parë, një parti që u ndëshkua me 1 milion vota katër vite më parë, për keqqeverisje dhe korrupsion, një muaj para zgjedhjeve, në emër të ‘zgjidhjes së krizës’, merr gjysmën e qeverisë. Kundër vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, Partia Demokratike do të bashkëqeverisë vendin me partinë që shqiptarët i dhanë mandatin për të qeverisur. Në këtë kuadër, ministrat e propozuar nga PD mund të konsiderohen edhe si fytyra e parë e Republikës së Re.

Helga Vukaj, ministrja e Financave
Partia Demokratike ka propozuar si ministre ‘teknike’ e Financave, Helga Vukaj, e cila ka botuar libra në bashkëpunim me të bijën e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Berishën. Ajo ka qenë nëndrejtoreshë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si një besnike e pushtetit të atëhershëm. Helga Vukaj është akuzuar nga media si ''vartëse'' e drejtpërdrejt e Shkëlzen Berishës. Ajo ka qenë drejtoresh Drejtorie në Ministri të Brendshme, ndërsa dy vitet e fundit ka punuar në Kontrollin e Lartë të Shtetit si Drejtoreshë e Përgjithshme. Lulzim Basha, i cili pretendon që një ditë të marrë pushtetin, për të themeluar Republikën e Re, i ka besuar zonjës Vukaj drejtimin e financave.

Ledina Mandia, zëvendëskryeministre
Ish-Avokatja e Shtetit në kohën e qeverisjes së vendit nga Partia Demokratike, shkodrania Ledina Mandia do të zëvendësojë Niko Peleshin në postin e zëvendëskryeministrit. Zonja në fjalë është një emër i besuar i opozitës dhe gjithashtu e promovuar në poste të rëndësishme. Ajo ka qenë dëshmitare në komisionin hetimor CEZ duke mbrojtur pozicionet e ish-qeverisë Berisha. Ajo hodhi gjithashtu akuza në adresë të kryeministrit Edi Rama. Ledina Mandia është këshilltare juridike e Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Pas rënies së PD nga pushteti, Nishani strehoi në Presidencë një numër pushtetarësh të PD, të cilët humbën pozicionet e tyre pas rotacionit politik.

Xhuljeta Kërtusha, ministre e Çështjeve Sociale
Propozimi i Xhuljeta Kërtushës nga ana e Partisë Demokratike si ministre e re e Çështjeve Sociale, është një tjetër fakt që komprometon rëndë marrëveshjen politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Ajo është anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike pa asnjë përvojë apo merita profesionale. Se si mund të jetë ministre teknike një anëtare e një prej forumeve më të rëndësishme të Partisë Demokratike, këtë mund ta shpjegojnë vetëm drejtuesit e opozitës.

Mirela Karabina, ministre e Arsimit dhe Sportit
Partia Demokratike ka propozuar si ministre ‘teknike’ të Arsimit dhe Sportit zonjën Mirela Karabina, në vend të Lindita Nikollës. Karabina është aktualisht pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Sociale. Ajo është gruaja e ish ambasadori shqiptar në Bulgari në kohën e PD-së, Petrit Karabina. Kjo e fundit ka punuar si mësuese për vite me radhë. Përgjatë viteve 2005-2011 ka qenë drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “P. Budi” në kryeqytet. Ajo ka punuar gjithashtu si specialiste në Drejtorinë Arsimore në Elbasan. Kohët e fundit zonja Mirela Karabina është njohur si një nga pjesëmarrëset më aktive në çadrën e ngujimit të Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Me këtë angazhim duket se ka fituar besimin e Bashës për drejtuar Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve deri në zgjedhje.

Gazmend Bardhi, ministri i Drejtësisë
Partia Demokratike ka propozuar Gazmend Bardhin në vend të Petrit Vasilit në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Z. Bardhi është një jurist i respektuar, por nuk mund të konsiderohet kurrsesi ministër teknik. Ai është ekspert ligjor i Partisë Demokratike dhe këshilltar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Gazmend Bardhi ka qenë ekspert i PD për hartimin e platformës për reformën në drejtësi si dhe hartues i projektligjit për dekriminalizimin, po për llogari të Partisë Demokratike. Gjithashtu, Bardhi ka mbrojtur disa çështje të Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Bardhi është propozuar në këtë post vetëm për shkak të besimit të partisë dhe të lidhjeve me partinë.

Dritan Demiraj, ministri i Brendshëm
Dritan Demiraj është Ministri i Brendshëm i propozuar nga Basha, pas paktit PD-PS, për ministra teknikë. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, ai njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor. Koloneli Dritan Demiraj, është “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale. Ai është liruar nga Ushtria rreth 3 vite më parë, pas 31 vitesh kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pas një mase disiplinore në ngarkim të tij për cenim të Sigurisë Kombëtare. Demiraj u akuzua nga Ministria e Mbrojtjes udhëtoi disa herë jashtë vendit pa autorizimin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Ushtrisë. Ndaj tij u regjistrua edhe një procedim penal, por çështja u mbyll nga Prokuroria. Ai njihet jo vetëm për merita profesionale, por edhe për “përplasje” të vazhdueshme me kryeministrin Rama. Pas lirimit nga detyra ai nuk e ka fshehur në asnjë moment mendimin e tij për kryeministrin apo ministren. Në statuset e tij në Facebook shfaqen komente të shumta kundër Ramës dhe kabinetit të tij. Ky pozicionim duket se ka bërë atë një personazh të besueshëm për Partinë Demokratike, e cila i ka besuar një nga detyrat më të rëndësishme, me rol vendimtar në luftën kundër drogës.

Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë
Mund të konsiderohet si ministri i vetëm teknik, në puthje me marrëveshjen politikes Rama-Basha. Ndryshme nga ministrat e tjerë, Arben Beqiri ia ka kushtuar jetën profesionit të tij, duke mos u ekspozuar politikisht. Ai është profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ndërsa deri në 2013 ka qenë Zëvendës Rektor në Universitetin e Mjekësisë Tiranë. Nga viti 1993 deri tani punon si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat