Në një kohë kur refuzon të shkojë në SPAK për të dhënë llogari mbi vrasjet e 4 protestuesve në bulevard, 21 janarin e rreth 15 viteve më parë, Sali Berisha rikthehet sërish të hënën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ përpara godinës së kryeministrisë: me rolin tashmë të ndryshuar, për të drejtuar ai protestën kundër qeverisë.

Në protestë janë thirrur qytetarët e të gjithë vendit dhe është e para që mbahet përballë zyrës së Edi Ramës, që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Për të koordinuar protestën, kreu i PD ka zhvilluar javën e shkuar takime me strukturat e PD, por edhe me aleatët, që gjithashtu do të jenë pjesë.

Protesta sipas demokratëve nis për shkak të marrjes si e pandehur të zv kryeministres Belinda Balluku, por motivi shkon edhe më tej: krijimi i një foltoreje paralele me atë Kuvendit për të diskutuar për çdo problem që refuzohet sipas tyre të diskutohet në hapësirën parlamentare.

Kjo platformë do të mbahet një herë në javë, dhe në të do të flasin jo vetëm deputetë e figura politike, por edhe qytetarë të thjeshtë.