TIRANË, 25 Korrik /ATSH- I. Vata/ -Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, në një deklaratë për mediat ditën e premte u shpreh se Rama dhe Meta miratuan ndryshimet në ligjin për Shkollën e Magjistraturës, duke shpërfillur thirrjet e partnerëve ndërkombëtare për gjithëpërfshirje në reformën në drejtësi.
"Bashkimi Europian, SHBA dhe OSBE i kërkuan hapur dyshes Rama-Meta që të mos miratonin asnjë ligj të reformës në drejtësi pa konsultim, gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim me aktorët e sistemit dhe faktorin ndërkombëtar. Të gjithë i bënë thirrje Edi Ramës që të respektojë parimet dhe standartet euroatlantike dhe se ligjet nuk bëhen për individë dhe nuk bëhen me nxitim e brenda natës", tha Halimi.
Partia Demokratike, tha Halimi, është e vendosur të bashkëpunojë me aktorët e sistemit dhe faktorin ndërkombëtar, kundër kapjes dhe kontrollit politik të sistemit të drejtësisë, theksoi ai. /a.ke/