TIRANË - Partia Demokratike ka zgjedhur edhe drejtuesit e grupit parlamentar, ndërkohë që ka propozuar edhe emrin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ashtu edhe siç përflitej, nga burime brenda grupit të PD-së mësohet se në mbledhjen e parë të saj është zgjedhur edhe kryetari i ri i grupit parlamentar demokrat, i cili është Edi Paloka. Ky i fundit nuk do të ketë mandat të plotë, por deri në muajin dhjetor.

Ky vendim është marrë nga kryetari Lulzim Basha pasi në muajin e fundit të vitit 2013 do të bëhen zgjedhjet në Partinë Demokratike dhe nënkryetari i partisë do të jetë automatikisht edhe kryetar i grupit parlamentar.

Ndërkaq është zgjedhur edhe nënkryetari i grupit parlamentar i cili do të jetë deputeti i Durrësit, Eduart Halimi.

Gent Strazimiri, Sekretar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Edmond Spaho është propozuar nga ana e PD-së, për të mbajtur postin e nënkryetarit të Kuvendit.

Deputetët e grupit parlamentar të demokratëve kanë zgjedhur edhe zëdhënësen e grupit parlamentar, e cila do të jetë, Jorida Tabaku.
 
Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com)