Partia Demokratike në një deklaratë për shtyp ka vijuar sërish akuzat ndaj Policisë së Shtetit. Sipas selisë blu, pak ditë më parë është plagosur me armë drejtori i ALUIZNIT në Durrës, Flamur Gjuzi dhe policia ka fshehur krimin.
 
Sipas deklaratës së Partisë Demokratike ngjarja që ka ndodhur për pazare legalizimesh.
 
Menjëherë pas denoncimit të PD, ka ardhur edhe reagimi i kreut të ALUIZNIT në Durrës. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Flamur Gjuzi përgënjeshtroi PD-në, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë incident. Gjuzi tha se në momentin kur PD doli në konferencë për shtyp, ai ndodhej në një kafe mes miqsh.
 
"Nuk është e vërtetë dhe nuk kam pasur asnjë incident. Aktualisht që mora vesh njoftimin e rremë të PD, jam në një kafe mes miqsh dhe shokësh", u shpreh drejtori i ALUIZNIT në Durrës, Flamur Gjuzi i cili paralajmëron se do t'i drejtohet organit të akuzës në një padi për shpifje.  

POLICIA E DURRESIT
Ndërkaq mbi plagosjen që ka është deklaruar Partia Demokratike ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Sipas Policisë së Durrësit, institucioni i tyre nuk disponon asnjë denoncim apo kallzim mbi plagosjen e Flamur Gjuzit.

"Lidhur me deklaratën e subjektit politik Partia Demokratike që thotë se Drejtori i ALUIZNIT Durrës, shtetasi F.Gj. është plagosur dhe Policia e Durrësit e ka fshehur ngjarjen, sqarojmë se:
Policia e Durrësit nuk disponon asnjë denoncim apo kallëzim mbi plagosjen e shtetasit F.Gj.
Menjëherë u mor kontakt me këtë shtetas dhe ai mohon kategorikisht faktin se është plagosur apo të ketë patur konflikt.
Ftojmë PD të bëj kallëzim pranë organeve përkatëse në rast se disponon të dhëna për shkelje të ligjit ose ngjarje kriminale.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje PD dhe çdo subjekti tjetër, të kërkojë informacion pranë institucioneve shtetërore, përpara se të bëjë deklarata dhe akuza për fshehje ngjarjesh nga Policia e Shtetit
", citon njoftimi i Policisë së Durrësit.

Redaksia Online
l.q/d.b/Shqiptarja.com