TIRANË- Partia Demokratike ka prezantuar ditën e sotme një plan masash ekonomike dhe sociale, sipas së cilëve do të ndihmojnë që pasojat e koronavirusit të jenë sa më të lehta. Në planin 8 pikësh nga PD-ja propozohet pezullimi nga pagesat të paktën deri në tre muaj pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të dritave dhe ujit, përjashtim nga taska e pronës dhe taksat e tjera vendore. Një tjetër pikë, për të cilën kryeministri Edi Rama e ka konfirmuar, është edhe pagat për punonjësit e bizneseve që do të qëndrojnë të mbyllura gjatë kësaj periudhë.

Një vëmendje në planin ekonomik të demokratëve, i është kushtuar edhe shtresave në nevojë, sipas së cilit duhet t'u sigurohet ushqim nga shtetit, por edhe për të moshuarit që të mos detyrohen të dalin nga shtëpia. 


Plani i PD-së

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili nuk i ka kursyer ironitë e tij. "Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7X7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë! Fli o xhan fli se të erdhi dita po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga hëna", shkruan Rama.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Plani i plotë ekonomik i PD-së
Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.
Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë që në kushte normale nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm dhe mijëra qytetarë të tjere që si pasojë e tërmetit jetojnë në kushte të vështira, në çadra pra në pamundësi për të siguruar ushqim dhe materiale higjeno-sanitare:
Furnizimin me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e termetit.
Mundësi per të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:44
Plani me 8 pika/ Basha i përgjigjet ironisë së Ramës: Mos harxho energji me opozitën

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ironisë së kryeministrit Edi Rama në lidhje me propozimin me tetë pika i është përgjigjur sërish me thirrjen që të lërë batutat dhe të fokusohet te mbështetja e qytetarëve dhe bizneseve në këto momente kritike.

"Çdo vend ka marrë masa financiare dhe fiskale për përballimin e krizës. Prej një jave edhe ne kemi propozuar masa lehtësuese që u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, sipërmarrësve të vegjël dhe punëtorëve. Detyra e parë e qeverisë duhet të jetë shëndeti i shqiptarëve dhe po kështu, ndihma për qytetarët dhe për ekonominë. Shëndeti, siguria dhe ekonomia e njerëzve, janë shqetësimi ynë. Është e papërgjegjshme dhe jo njerëzore të sulmosh ditë e natë opozitën, në një kohë kur të gjitha energjitë duhen fokusuar për tu ardhur në ndihmë njerëzve.

Çdo masë që kemi propozuar është realiste dhe e zbatueshme nëse ka mirëmenaxhim, kompetencë dhe transparencë. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet e oligarkëve, duhet të angazhohen urgjentisht për mbështetje sociale, për fonde shtesë për shëndetësinë si dhe për mbështetje fiskale dhe financiare për bizneset që sot kanë mbyllur dyert. Jeta nuk ka çmim, sulmet bajate kundër opozitës nuk ofrojnë asnjë zgjidhje.

Me batuta nuk qeveriset vendi, nuk ushqehen njerëz, nuk shpëtohen biznese dhe nuk rimëkëmbet ekonomia. Ndaj do të vazhdoj pa u lodhur ti bëj thirrje qeverisë, që për hir të të gjithë shqiptarëve, të lërë mënjanë luftën politike, dhe të vërë interesat e njerëzve të parat. Ndiqni më poshtë masat me efekt të menjëhershëm që i bëj thirrje qeverisë ti zbatojë pa humbur më kohë" shkruan Basha.