Partia Demokratike ka pranuar zyrtarisht krizën e thellë organizative në degën e Fierit, duke ndërhyrë me një vendim të posaçëm të Kryesisë për të shpërndarë de facto strukturat aktuale drejtuese dhe për t’i zëvendësuar ato me një grup pune prej 43 anëtarësh.

Në vendimin nr.108, datë 24 prill 2026, të siguruar nga Report TV, thuhet se kjo lëvizje vjen për shkak të situatës problematike në degën e Fierit pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, të shoqëruara me dorëheqje të drejtuesve të degës dhe mosfunksionim të kryesisë.

Në dokument theksohet qartë se një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të kryesisë nuk kanë qenë aktive, çka ka sjellë paralizimin e strukturave lokale të partisë.

“Duke u nisur nga gjendja që ndodhet PD dega Fier dhe nga problematikat në zgjedhjet e 11 Majit 2025 e bashkëshoqëruar kjo me dorëheqjet e drejtuesve të degës si dhe mosfunksionimi i kryesisë së degës si pasojë e mosangazhimit të një pjese të konsiderueshme të anëtarëve të kryesisë, ” thuhet në vendim

Për këtë arsye, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur ngritjen e një grupi pune që do të marrë përkohësisht funksionet e kryesisë së degës dhe do të drejtojë procesin e analizës, riorganizimit dhe përgatitjes për zgjedhjet e reja.

Në krye të këtij grupi është komanduar Ardian Ferro, i cili do të ushtrojë funksionin e kryetarit të komanduar të degës.

Sipas vendimit, grupi i ri do të ketë afat deri më 30 shtator 2026 për të përfunduar procesin e analizës së brendshme, rifreskimin e strukturave dhe organizimin e zgjedhjeve nga seksionet deri te kryetari i ri i degës.

43 emrat që do të drejtojnë përkohësisht PD-në në Fier janë:
Admirim Shehu
Ajet Gurguri
Albert Pasha
Albion Hoxha
Aldo Çobo
Alketa Luga
Altin Maloku
Amarda Shanaj
Ardian Ferro
Arjeta Çumani
Artur Mahmutaj
Bledar Berdalli
Bledi Shehu
Çezar Koliqi
Dritan Petova
Enkeleda Veliu
Eralda Tase
Gentian Koçi
Gurie Sula
Ilia Fili
Laze Haxhija
Ledjon Çala
Leonard Feleqi
Lorenc Hoxha
Luljeta Seko
Marsela Ndreu
Mustaf Gashi
Ramadan Krasniqi
Ramize Mernica
Rovena Zeneli
Rrapi Gjika
Sali Isufaj
Sandër Vrushi
Shefqet Krasniqi
Silva Hasa
Suzana Numani
Tomas Papuçiu
Viktor Gjini
Vladimir Kajolli
Vladimir Korçari
Ylli Muceli

Ndërkohë paralelisht po zhvillohet edhe procesi zgjedhor në degët e tjera të qarkut.

Në Roskovec, demokratët votuan dje për drejtuesin e ri të degës. Në garë ishin Emels Xhaxhaj dhe Viola Çepele. Nga rreth 700 anëtarë të regjistruar, morën pjesë në votim 308 anëtarë, ndërsa 7 fletë votimi rezultuan të pavlefshme. Në përfundim, Emels Xhaxhaj u shpall fitues me 229 vota, duke marrë drejtimin e degës së PD-së në Roskovec.

Proces zgjedhor është zhvilluar edhe në Patos, ku sipas procesverbalit kanë marrë pjesë 343 anëtarë nga 624 të regjistruar në listë. Janë numëruar 341 vota të vlefshme dhe 2 të pavlefshme. Në garë ishin tre kandidatë:

Eduart Hoxha - 128 vota

Mentor Hoxha - 67 vota

Pëllumb Demal Hoxhaj - 145 vota

Nga rezultati, fitues rezulton Pëllumb Demal Hoxhaj.

Edhe në Mallakastër është zhvilluar proces votimi për kreun e degës. Sipas procesverbalit, në votim morën pjesë 212 anëtarë, ku 207 vota rezultuan të vlefshme dhe 5 të pavlefshme.

Kandidatët ishin:

Resmi Bilbil Sheme - 133 vota

Taulant Fadil Hoxhaj - 74 vota

Fitues në Mallakastër rezulton Resmi Bilbil Sheme.

Zhvillimet tregojnë se Partia Demokratike në qarkun Fier po kalon një fazë të fortë ristrukturimi, ku nga njëra anë po pranon publikisht krizën në degën kryesore të Fierit, ndërsa nga ana tjetër po tenton të riorganizojë strukturat përmes zgjedhjeve në bazë. Në politikë, si në futboll, kur ndryshon gjithë formacionin, është e qartë që  “trajneri” ka parë problem serioz në fushë.