TIRANE -  Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste miratoi propozimet e  mbrëmshme të kryesisë PS për postet e kryetarëve të Komisioneve parlamentare. Ndërkohë që Grupi Parlamentar i PD-së  përzgjodhi dje emrat e drejtuesve të komisioneve parlamentare. 

Komisioni i Ligjeve, i Ekonomisë, i Sigurisë, Veprimtarisë Prodhuese dhe i Jashtëm do të drejtohet nga socialistët, ndërkohë që Komisioni i Çështjeve Sociale, Integrimit dhe Medias do të drejtohen nga Parta Demokratike.

Mazhoranca do të drejtojë komisionin e Sigurisë Kombëtare me kryetar Spartak Braho, me sekretar Piro Lutaj, aty ku Partia Demokratike ka zgjedhur për nënkryetar Flamur Nokën. Për Brahon ka vendosur Partia Socialiste, pasi ai është pjesë e PS dhe merr pjesë në mbledhjen e grupit të PS.
 
Është rënë dakord në Kryesi që komisionin Parlamentar të Ligjeve ta drejtojë deputeti Fatmir Xhafaj, ndërsa Partia Demokratike ka zgjedhur për nënkryetar Oerd Bylykbashin.
 
Po ashtu është rënë dakord që komisionin Parlamentar i Ekonomisë të zgjidhet si kryetar Erjon Braçe aty ku PD ka zgjedhur si nënkryetar Ridvan Boden. Për kryetar të këtij komisioni kanë qenë dy kandidatura, Erjon Braçe dhe Anastas Angjeli, ku mesa duket Braçja ka fituar besimin e kryesisë.

Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese do ta drejtojë deputeti Eduard Shalsi.
 
Po ashtu si nënkryetare të komisionit të Shëndetësisë është zgjedhur Klodiana Spahiu.

Pozicionet e tjera të nënkryetarëve të komisioneve i janë lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
 
Ndërsa si nënkryetar i komisionit të Medias është zgjedhur Alfred Peza.

Gjithashtu Kryesia e Partisë Socialiste ka zgjedhur për nënkryetar të Kuvendit aleatin e tyre, Vangjel Dule.  Ndryshe nga ministrat që i zgjodhi të ri, drejtuesit e komisioneve i ka zgjedhur “të vjetrit”.

NËNKRYETAR PARLAMENTI
EDMOND SPAHO PD
VANGJEL DULE PBDNJ 

KOMISIONI I LIGJEVE 
KRYETAR - FATMIR XHAFAJ PS
NENKRYETAR – OERD BYLYKBASHI PD

KOMISIONI I EKONOMISE 
KRYETAR - ERJON BRACE PS
NENKRYETAR – RITVAN BODE PD

KOMISIONI I SIGURISE
KRYETAR – SPARTAK BRAHO PS
NENKRYETAR – FLAMUR NOKA PD

KOMISIONI I INTEGRIMIT 
KRYETARE – MAJLINDA BREGU PD
NENKRYETAR – TAULANT BALLA PS

KOMISIONI I MEDIAS DHE ARSIMIT 
KRYETAR – GENC POLLO PD
NENKRYETAR – ALFRED PEZA PS

KOMISIONI I CESHTJEVE SOCIALE
KRYETARE – ALBANA VOKSHI PD
NËNKRYETAR - LSI

KOMISIONI I JASHTËM 
KRYETARE – ARTA DADE
NËNKRYETAR - ALDO BUMCI

KOMISIONI I SHËNDETËSISË
KRYETARI – ENDE ASNJE PROPOZIM 
NËNKRYETARE KLODIANA SPAHIU

PERZGJEDHJA DJE DHE DEBATET BRENDA PS E PS

Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dje pasdite u përfshi në debate për vendosjen e kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Deputeti Ben Blushi dhe Valentina Leskaj nuk kanë pranuar që të jenë në pozicionin e kryetarit dhe të nënkryetarit të komisioneve parlamentare, duke refuzuar Kryesinë.

Edhe mbledhja e djeshme e e grupit parlamentar të PD pa prezencën e Sali Berishës u zhvillua me tone të ashpra dhe konflikte të vazhdueshme mes kryetarit të PD Lulzim Basha dhe ish-kandidatit për kryetar të PD, deputetit, Sokol Olldashi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)