Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar shqiptarët për legalizimet, referuar protestës së banorëve të lagjes '5 Maji' në Tiranë, banesat e të cilëve po shemben për shkak të rikualifikimit urban.
Me një postim në Facebook, ku publikon një video, PD thotë se para çdo palë zgjedhjesh, Rama i premtonte shqiptarëve se do t'u legalizonte shtëpitë, premtim që më pas nuk e mbante. PD akuzon po ashtu se një prej ndërtuesve në projektin e '5 Majit' është tafikant droge, teksa kërkon nisjen e hetimeve.
"Edi Rama i ka mashtruar shqiptarët para çdo pale zgjedhjesh se do tu legalizonte shtëpitë. U ka marrë votat e më pas u ka vënë rruspat për projekte korruptive si ai i 5 majit, ku një prej ndërtuesve është trafikant droge, për të cilin Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht Erjon Veliajn. Sot Edi Rama po i nxjerr në mes të katër rrugëve qindra qytetarë të Tiranës duke u çuar dëm mundin dhe sakrificën e një jete. Edi Ramës nuk i bëhet vonë për shqiptarët Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!", thuhet në postimin e PD.
Më 19 janar Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Në total, preken 430 në total nga projekti i rindërtimit.