TIRANË- Partia Demokratike ka shpërndarë sot një video ku shkruan se Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës dhe po i përdorin demokratët për interesat e tyre personale. Duke i quajtur "politika e vjetër", PD-ja akuzon për një bashkëpunim të Metës, Berishës se bashku me Ramën, ose siç i ka quajtur më herët Lulzim Basha, "Trekëndëshi i Bermudës".
"Shqipëria duhet të ndahet nga politika e vjetër që gjithçka e ka në funksion të interesave personale të politikanëve. Sot Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës.
Demokratët e kanë kuptuar se Sali Berisha dhe Ilir Meta po i përdorin, prandaj çdo ditë demokratët po dinstancohen nga farsa Berisha.
Tashmë jo vetëm për demokratët por për të gjithë shqiptarët është e qartë se nëse zgjedh Berishën e Metën merr Ramën, nëse zgjedh Ramën merr Berishën dhe Metën", thuhet në njoftim.
Kjo video vjen fill pasi Komisioni i Rithemelimit të PD-së i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, LSI dhe Partia Demokristiane e Nard Ndoka kanë depozituar sot në KQZ një marrëveshje për të formuar një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit.