TIRANE- Partia Demokratike do të vazhdojë të ketë një qëndrim të kushtëzuar me Parlamentin.

Vendimi i grupit PD-së u bë publik paraditen e sotme nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili tha se statusi në qershor është në rrezik kërcënues dhe bën thirrje qeverisë Rama-Meta të ndryshojnë me urgjencë kursin  antieuropian.

"Në përsërisim qëndrimin tonë se marrëdhënia e grupit tonë dhe e opozitës me Kuvendin do të vijojë të mbetet e kushtëzuar për shkak të dhunimit flagrant të Kushtetutës me datë 20 shkurt me shkarkimin e paligjshëm dhe antikushtetues të kreut të ILDKP-së, si prova gjenerale e shumicës për të uzurpuar institucionet e pavarura apo për t’i vënë ato në kontroll dhe diktat politik. Ky qëndrim do të mbahet derisa të rivendoset ligji dhe kushtetutshmëria në Kuvend. Nuk është fjala të mbrojmë një individ. Ne mbrojmë një parim standardet dhe institucionet e pavarura,perspektivën europiane”- tha Basha para deputetëve të grupit PD. 

KONKLUZIONET E DIALOGUT TE NIVELIT TE LARTE TE NJEANSHME 

Basha tha se edhe takimi i dytë i Dialogut të Nivelit të Lartë është përgatitur në “inercinë e arrogancës me të cilën u instalua në pushtet qeveria”. Madje shtoi se edhe konkluzionet e botuara nga ky takim ishin totalisht të njëanshme.

“Paradoks më vete që ne kërkuam një pjesëmarrje të respektueshme siç i respektuam kur ata ishin në opozitë, ndërsa kryeministri ishte për në pjesëmarrje simbolike. Me kë donin të bënin dialogun me veten e tyre?! Monologjet janë bërë paradokse. Konkluzionet e botuara ishin gatuar në kuzhinën e kryeministrisë dhe ishin totalisht të njëanshme. Janë konkluzione për të kaluar radhën që zbehin shumë dialogun e nivelit të lartë. Qeveria i përgatiti pa opozitën dhe nuk gjetën jehonë qëndrimet e palës tjetër. Statusi është aspiratë e popullit dhe jo plackë e qeverisë”- tha Basha duke kujtuar se vendimin në qershor në Bruksel do të merret në bazë të shtetit ligjor.


BASHA: NE PPE BERISHA NA BERI TE NDIHEMI KRENARE  
Kryetari i PD-së Lulzim Basha foli me shumë superlative në lidhje me qëndrimin që ishte mbajtur ndaj Sali Berishës në samitin e PPE-së.

"Javën e kaluar, siç e dini, Partia Demokratike u përfaqësua me një delegacion të nivelit të lartë në kongresin e Partive Popullore Europiane, PPE. Kam kënaqësinë të konstatoj se përfaqësimi i PD ishte  i dyfishtë në këtë eveniment politik  kaq të rëndësishëm: me kryetarin e partisë dhe me  zotin Berisha, i ftuar nderi si lider historik dhe ish kryeministër i vendit. Bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit, patëm kënaqësinë të vërenim se si zotit Berisha iu rezervua një respekt i denjë për një dekan që ka ndarë  një  jetë  të gjatë politike me  familjen politike europiane të qendrës  dhe qendrës se djathtë.  Kjo sigurisht na bëri të ndihemi krenarë, por ishte edhe një lehtësim për ne në marrjen e stafetës së respektit  dhe përgjegjësisë si lidershipi i ri i një partie simotër në gjirin e PPE-së."

Basha shtoi se edhe qëndrimi i PPE, ishte i qartë ”se shkeljet e përsëritura të Kushtetutës, kapja e institucioneve të pavarura, vendosja në diktatin politik të administrates, përbëjnë një kërcënim për integrimin e Shqiprisë në BE”.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e nisi mbledhjen me një minutë heshtje për nder të ish-Zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili ndërroi jetë të shtunën e 8 marsit si pasojë e një ataku kardiak.

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)