Tirane- Partia Demokratike thotë se financimi i sektorit të arsimit nga buxheti i shtetit ka rënë në mënyrë të ndjeshme në 10 vitet e fundit.
Në një deklaratë për median, drejtuesja e departamentit të arsimit në PD, Lili Sula, solli në vëmendje raportin e Organizatë së Kombeve të Bashkuara për Edukim, UNESCO, ku evidentohet ulja e financimit për arsimit dhe kërkohet rritje urgjente e vëmendjes ndaj këtij sektori.
Kryeministri i Rilindjes i ka mashtruar shqiptarët qysh në 2013, kur u premtonte financim të arsimit me 5 % të PBB. Edhe për vitin 2025 partia-shtet vendosi ta mbështesë arsimin vetëm me 2,6 % të PBB duke përfshirë në këtë shifër edhe arsimin professional.
Raporti i UNESCO-s nënvizon gjithashtu se pagat e mësuesve janë ndër më të ulëtat në rajon, duke ndikuar negativisht në motivimin dhe cilësinë e mësimdhënies.
Ndërkohë që numri i nxënësve ka rënë, kostot për nxënës janë rritur, duke treguar për një shpërndarje joefikase të burimeve.
Decentralizimi i nisur në vitin 2015, i cili ndau përgjegjësitë midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që përgjigjet për mësuesit dhe shkollën, dhe pushtetit vendor, që përgjigjet për infrastrukturën nuk ka funksionuar siç duhet. Decentralizimi ka ndikuar më tej negativisht në menaxhimin dhe joefikasitetin e rrjetit arsimor.
Rilindja, jo vetëm që nuk rriti financimin, por shkurtoi fondet për arsimin me 1 miliardë lekë ose 2% të programit, në kohën që testimet ndërkombëtare i vlerësojnë aftësitë e nxënësve në fund të botës.
Shkurtimi i financimit të arsimit është shembulli më i qartë i braktisjes së nxënësve, mësuesve, pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë. Një qeveri që ka ngritur kultin e të fortëve dhe të paarsimuarve, duke i futur në parlament dhe bërë kryebashkiakë, nuk mund të sillej ndryshe. Shkurtimi i fondeve për arsimin, kur brenda 10 viteve vetëm në qarkun e Tiranës, janë larguar 22% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, shpreh strategjinë e shpopullimit të Rilindjes" tha Lili Sula.
Sula thotë se një arsim kombëtar dinjitoz është premtimi që do të vihet në zbatim në 100 ditët e para të qeverisjes së PD.