PD: Qeveria ka ulur kuotat e masterit
MAS:Janë më tepër se të regjistruarit

PD: Qeveria ka ulur kuotat e masterit<br />MAS:Janë më tepër se të regjistruarit
TIRANË - Partia Demokratike ka deklaruar ditën e sotme se Qeveria ka ulur me 40 për qind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 për qind kuotat për masterat shkencorë. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar duke sqaruar se e vërteta është se për vitin akademik 2014-15 janë miratuar 6,393 kuota për Masterat Profesionalë, ndërkohë që një vit më parë janë regjistruar në total 5,559 studentë.

Në këtë shifër të fundit  përfshihen dhe jokaluesit që vijnë nga vitet e mëparshme e që janë një numër i konsiderueshëm.  Ndërsa për Masterin Shkencor këtë vit janë miratuar 6,547 kuota, ndërkohë rezulton se vitin e kaluar janë regjistruar në total 5,890 studentë ku edhe këtu janë bashkuar jokaluesit.
 
Deklarata e PD për kuoatat e Masterit
Edi Rama po u pakëson cdo ditë shanset studentëve shqiptarë duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifën financiare.

Eshtë e pabesueshme se si një Kryeministër ndërhyn në këtë mënyrë në projektet, ëndrrat dhe dëshirat që kanë të rinjtë për t’u arsimuar e për t’u përgaditur për të ardhmen.
Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë.

Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët.
Kjo sjellje armiqësore dhe ndërhyrje brutale në rrugën që studentët duan të ndjekin për t’u aftësuar e specializuar, është e papranueshme dhe nxjerr në pah tiparet e një Kryeministri që nuk e do shkollimin, nuk e do rininë të arsimuar.

Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare.

Ne i bëjmë thirrje studentëve të bashkohen e të kundërshtojnë këto masa represive të Edi Ramës.

Ne përkrahim fuqimisht protestën e studentëve, dhe do të jemi me ta në cdo lëvizje që do të bëjnë për të fituar të drejtat që u takojnë.

Kur një kryeministër sulmon rininë dhe studentët, ai godet të ardhmen e vendit, godet gjithë shoqërinë. 
 
Reagimi i Ministrisë së Arsimit e Sportit 
Sot, nga  selia e Partisë Demokratike doli një tjetër deklaratë që provon sërish ndarjen e madhe të dy botëve. Të gënjeshtrave që çuan në 1 milion shuplakat e 23 qershorit dhe politikës së përgjegjshme. Ndarjes mes politkbërjes me kuotat me lojë kungulleshkash dhe ndarjes së kuotave të bazuar në analizë profesionale që kujdeset dhe per mundësinë e të rinjve për t’u aftësuar. por po aq edhe për cilësinë e këtij aftësimi. 
 
Ashtu si dhe në të gjitha politikat e tjera të realizuara me frymën e bashkëpunimit  dhe të bashkërendimit, MAS i ka vendosur kuotat dhe tarifat në përputhje me kërkesat e universiteteve publike duke qëndruar në krahun e studentëve, e duke miratuar kuota ne përputhje me kërkesat dhe tarifa ndjeshëm më të ulta se kërkesat.
 
PD thotë që Qeveria ka pakësuar kuotat e masterit profesional në masën 40% kurse ato të masterit shkencor në masën 30%.  Gënjeshtër e padenjë për një grup njerzish që pagohen me taksat e qytetarëve për të bërë opozitën. 
  
E vërteta është se për vitin akademik 2014-15 janë miratuar 6,393 kuota për Masterat Profesionalë, ndërkohë që një vit më parë janë regjistruar në total 5,559 studentë. Në këtë shifër të fundit  përfshihen dhe jokaluesit që vijnë nga vitet e mëparshme e që janë një numër i konsiderueshëm.  Ndërsa për Masterin Shkencor këtë vit janë miratuar 6,547 kuota, ndërkohë rezulton se vitin e kaluar janë regjistruar në total 5,890 studentë ku edhe këtu janë bashkuar jokaluesit.
 
Pra, siç edhe mund ta shikoni nga statistikat e mësipërme, e vërteta është se kuotat e miratuara për këtë vit akademik tejkalojnë mjaftueshëm numrin e të regjistruarve vitin e kaluar, ndryshe nga sa propagandohet nga selia e Shqupit.
 
Ndërsa për sa i përket tarifave, sërish MAS është udhëhequr nga parimi i politikbërjes së përgjegjshme jo sikundër vepronte paraardhësi ynë, që i la shtetit dhe shqiptarëve një faturë mbytëse borxhesh mbi supe.
 
Bazuar në këto nevoja është vendosur që në fillim të vitit akademik të paguhet 30% e tarifës së shkollimit, ndryshe nga vendet e tjera, madje dhe vendet e rajonit ku ajo paguhet nga 50%-100% në fillim të vitit akademik.
 
Këto të ardhura për universitet shkojnë për të mbuluar shpenzimet e personelit, sigurimet shoqerore dhe shëndetsore të tyre dhe po kështu detyrimet për energjinë elektrike, materiale, shërbime interneti, punë në laboratore e të tjera shërbime. Ligjërisht të gjitha shpenzimet duhen likujduar në fund të çdo muaji dhe jo duke krijuar borxhe siç bëhej nga qeveria e mëparshme. Ndaj për sa më lart kjo masë parapagimi prej 30% e tarifës së shkollimit nuk është aspak diskriminuesve, por i mbështetur në standardet ligjore. 
 
Përmes reformës së ndërmarrë, MAS e ka vendosur arsimin e lartë në binarët e cilësisë,  por pa cënuar mundësinë e sa më shumë të rinjve për t’u arsimuar.
 
Arsimi është një ndër sektorët më të rëndësishëm që na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë për të mundësuar reforma, që të kthejmë realisht cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor shqiptar, e jo ta përdorim atë për qëllime klienteliste e elektorale ashtu siç përdoreshin në të kaluarën kuotat dhe tarifat.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE