TIRANE - Partia Demokratike ka denoncuar sipas saj planin e mazhorancës për të mos dhënë llogari mbi informacionin për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga narkotrafiku.

Në daljen për shtyp zëdhënësja Laura Vorpsi tha se qeveria po përpiqet të çorientojë opinionin publik ndërsa shtoi se kryetari i Kuvendit po citon sipas saj pretekste ligjore për të mos ngritur Komisionin Hetimor.

“Mazhoranca Rama-Meta u investua në një tjetër përpjekje për të çorientuar opinionin publik, dhe për të mbyllur çdo mundësi hetimi dhe zbardhje të së vërtetës lidhur me dyshimet për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafiku i drogës. Vetëm 24 orë më parë, vetë dyshja Rama-Meta hodhi idenë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar. Ndërkohë sot duke zbatuar planin e tyre për të mos bërë transparencë, kryetari i Kuvendit citoi pretekste ligjore për të mos lejuar komisionin që vetë e propozuan.” tha zëdhënësja Vorpsi.

Sipas Vorpsit “kjo është një lojë e qeverisë për t’ju shmangur llogaridhënies para opinionit publik.”

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)