PD: Qeveria Rama ka dështuar
në sektorin e energjisë elektrike

PD: Qeveria Rama ka dështuar<br />në sektorin e energjisë elektrike
TIRANE- Në një deklaratë për mediat, nënkyetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo ka hedhur akuzën se qeveria aktuale nuk ka mbajtur premtimin elektoral për heqjen e TVSH-së për energjinë dhe se qytetarët shqiptarë “po përballen me mbifaturimet dhe me faturat aforfe”. Sipas Bozdos, në sektorin e energjisë elektrike, qeveria Rama ka dështuar.

“Heqjen e TVSH-së për energjinë, premtim ky i bërë me bujë përgjatë fushatës elektorale nga Rama, tashmë Kryeministri e ka fshirë nga defteri i tij. Në vend të uljes së premtuar të çmimit të energjisë, sot shqiptarët po përballen me mbifaturimet dhe me faturat aforfe. Dhe kryeministri mund ta ketë memorjen e shkurtër, por shqiptarët sigurisht që jo!

Një konsumator familjar, por edhe një biznes, për të njëtin konsum, sot paguan më shumë se dje, për shkak të udhëzimeve politike për fryrje të faturave. E pra, në këtë vit, jo vetëm që nuk u hoq TVSH për energjinë dhe nuk u ul çmimi i saj për qytetarët, por për të përmirësuar në mënyrë të gënjeshtërt treguesit e kompanisë së shpërndarjes, faturat mbifryhen dhe gjobat vendoset nëpërmjet pagesës aforfe.”-deklaroi për mediat nga selia blu, Eno Bozdo.

Gjithashtu Bozdo foli edhe për ato që i konsideroi “udhëzime politike”, si pengesa të posaçme nga ana e qeverisë Rama ndaj ankimeve që mund të kenë qytetarët në ballafaqimin me OSHEE (ish Cez).

“Dhe ata konsumatorë që kanë ankesa për këto abuzime, i kanë shpresat e pakta të gjejnë të drejtën e tyre; udhëzimi politik është që ata të sorollaten zyrave të OSHEE (ish CEZ), për të mos ta gjetur kurrë të drejtën e tyre.”- deklaroi për mediat mbi këtë temë Bozdo.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës u prononcua dhe mbi rritjen e paralajmëruar të rritjes së çmimit të energjisë, duke e konsideruar si iniciativë që do të dëmtojë jo vetëm konsumatorët por edhe biznesin. Gjithashtu rritjen e çmimit të energjisë e ka cilësuar dhe si rritjen e dytë më të dëmshme për ekonominë shqiptare.

“Rritja e çmimit sigurisht do të dëmtojnë konsumatorët dhe fuqinë blerëse të tyre, por edhe biznesin duke rritur ndjeshëm koston e të bërit biznes në Shqipëri, dhe duke ulur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve shqiptare. Pas rritjes me 50% të tatim fitimit të kompanive, rritja e çmimit të energjisë është rritje e dytë më e dëmshme për ekonominë shqiptare.”- tha më tej gjatë deklaratës Eno Bozdo.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën